Të shtunën u rikthye edhe “Abissnet Superiore”, pas pauzës prej afro 20 ditësh për shkak të Ligës së Kombeve. Teuta konfirmon formën e shkëlqyer, duke mposhtur Skënderbeun me rezultatin 2-0 në stadiumin “Niko Dovana”. Skuadra durrsake regjistroi kështu fitoren e pestë radhazi në kampionat, duke u ngjitur në kuotën e 16 pikëve.
Vendasit e nisën takimin me ritëm të lartë dhe kaluan në avantazh pas çerek ore lojë. Kallaku u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke zhbllokuar rezultatin. Teuta vijoi të kërkonte golin e dytë, të cilin e gjeti përmes Pedros. Sulmuesi dërgoi topin në rrjetë me një goditje me kokë brenda zonës, duke dyfishuar shifrat.
Në pjesën e dytë, Skënderbeu pati mundësinë për t’u rikthyer në lojë, por Bismark nuk arriti të mposhtte portierin nga pika e 11-metërshit. Topi u kthye te Zenullari, i cili shënoi, por goli u anulua për shkak të hyrjes së parakohshme në zonë të një lojtari gjatë ekzekutimit të penalltisë.
Në 20 minutat e fundit, Teuta mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të marrë nga Boci. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për të ndryshuar rrjedhën e takimit. Durrsakët administruan avantazhin dhe siguruan tri pikët e radhës.
Me këtë sukses, Teuta ngjitet në kuotën e 16 pikëve, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendnumëro me vetëm 3 pikë.
Në sfidën tjetër vetëm barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, ku Elbasani dhe Vora nuk shkuan përtej ndarjes së pikëve në përballjen e vlefshme për javën e gjashtë të “Abissnet Superiore”.
Takimi u karakterizua nga lojë e hapur dhe raste të shumta shënimi nga të dyja skuadrat. Elbasani arriti të kalonte i pari në avantazh me Mazarin, duke ndezur entuziazmin e tifozëve vendas. Por kur pjesa e parë po i drejtohej fundit, Vora reagoi dhe arriti të barazonte shifrat në minutat shtesë.
Në pjesën e dytë, të dyja skuadrat kërkuan golin e fitores, por ndërhyrjet e portierëve mbajtën rezultatin të pandryshuar. Momentin më të mirë për të marrë tri pikët e pati Vora në fundin e takimit. Trajkov goditi shtyllën në minutat shtesë, duke i mohuar skuadrës së tij mundësinë për të dalë fituese nga “Elbasan Arena”.
Në fund, Elbasani dhe Vora u detyruan të kënaqen me nga një pikë, pas një ndeshjeje me ritëm dhe emocione deri në sekondat e fundit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








