Deklarimi i kryeministrit që aeroporti i jugut do të ndërtohet në Vlorë, dhe jo në Gjirokastër ka indinjuar Forumin e Aeroportit të Gjirokastrës.
Ky forum ekziston prej 17 vjetësh që ka për qëllim, pikërisht sensibilizimin e instrumenteve shtetërore, për rifunskionimin e të vetmit aeroport në jug të vendit qysh në vitet ’30, siç është Aeroporti i Gjirokastrës.
Përfaqësues të këtij forumi në të cilën bëjnë pjesë intelektualë të qytetit kryesisht artistë, inxhinierë, gjeologë dhe nga shoqëria civile, kanë ngelur mjaft të zhgënjyer nga vendimi i fundit i kryeministrit Rama.
Sipas inxhinierit Cobani, terreni i Aeroportit të Gjirokastrës, është i studiuar prej gati 80 vjetësh nga specialistët e atëhershëm italianë dhe ristudiuar duke e nxjerrë si një vend mjaft të përshtatshëm për ulje të avionëve.
‘’Për ne ishte një goditje pas shpine e dyfishtë, pasi ne kemi shumë vite që po punojmë me gjithë faktorët lokal dhe qeveritar për t’u rivënë në punë aeroporti i Gjirokastrës, pasi ky aeropor i plotëson të gjitha kushtet’’,-u shpreh Cobani.
Gjirokastra si qendër rajonale, e ka pasur aeroportin e tij gati 80 vjet më parë, ndërsa sot shikohet si domosdoshmëri, riaktivizimi i tij çka do të përkthehej me zhvillim të përgjithshëm.
Për riaktivizimin dhe funksionimin normal të këtij aeroporti sipas specialistëve nevojiten rreth 5 milionë euro.