Aksidenti i rëndë me 5 persona të plagosur sot pranë fshatit Mashkullorë në Gjirokastër, mund të kishte rezultuar fatal për jetën e tyre nëse makina nuk do të ishte penguar nga një lapidar. Kështu e nis rrëfimin për ‘Libohova Online’ një dëshmitar okular i ngjarjes.
‘Unë po shkoja drejt Tepelenës, ndërsa ata po ktheheshin për në Gjirokastër. Në një distancë rreth 50 metra larg meje, papritur shikoj që makina e tyre përfundon jashtë rruge. Ndodhi si pa e kuptuar fare. Nuk është se ata ishin me shpejtësi të madhe. Ndalova menjëherë dhe u afrova tek makina e tyre, ndërsa po njoftoja me telefon policinë. M’u gjendën edhe disa njerëz të tjerë që kalonin në rrugë në ato momente. Donim të jepnim ndihmën e parë, por dyert e makinës nuk hapeshin. Dëgjoheshin vetëm ulërima njerëzish. Ishin të gjithë moshë e madhe, mbi 60 vjeç. Thyem xhamat e makinës dhe i nxorëm. Më keq nga të gjithë kishte ngecur shoferi i makinës, e cila ishte me timon në krahun e djathtë. Por pas disa përpjekjesh e nxorëm. Policia mbërriti shpejt pasi ndodhej tek postblloku pranë kompleksit të pishinave. Nuk e kuptoj si ndodhi ai aksident, ndoshta shoferin e zuri gjumi. Të mos ishte lapidari ku u përplasën, ndoshta do e pësonin më keq”, tregon dëshmitari.
Ndërkohë mësohet se 5 personat e plagosur janë banues në Sarandë. Ata po ktheheshin nga një ceremoni mortore në Përmet tek të afërm të tyre. Të plagosurit janë shoferi A.A dhe pasagjerët Sh.A, V.A, K.A dhe F.P.
Burime nga spitali i Gjirokastrës thonë se shoferi A.A dhe pasagjerët K.A e V.A janë ende në reanimacion, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy pasagjerët e tjerë kanë marrë mjekimin dhe ndodhen në gjendje më të mirë shëndetësore.
/Libohova Online/