Është arrestuar 24-vjeçari i shpallur në kërkim lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në prill ku humbën jetën 7 emigrantë dhe shoferi që i tranportonte me makinë.
Stiviljano Ndou, i cili ishte organizatori i trafikut të paligjshëm të emigrantëve nga Pakistani, u vu në pranga në Shkodër. Pasi u lokalizua nga policia, Ndou tentoi t’iu ikte efektivëve të Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte, por arratisja e tij rezultoi pa sukses.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Shkodër/Kërkime intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor, më datë 02.04.2024, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, arrestohet në Shkodër, 24-vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës. I ndaluari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte.
Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Për këtë shtetas Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së. 24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Aksidenti tragjik të ndodhur rreth 1 km larg nga Këlcyra, në fshatin Kuqar, ku humbën jetën 7 emigrantët nga Pakistani dhe shoferi Edison Bregaj, i cili po transportonte refugjatët, që besohet se kishin hyrë në vendin tonë nga kufiri i gjelbërt “Tre Urat’ në Përmet. Patrulla e policisë pikasi automjetin e dyshimtë afër Këlcyrës rreth orën 02:00, por drejtuesi i ‘Benz’-it refuzoi që të ndalonte për kontroll. Pas ndjekjes nga policia, duket se automjeti ka humbur gjurmët, ndërsa pas shumë kontrolleve u verifikua se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë. Automjeti ka qenë me shpejtësi tejet të lartë, me mbi 200 km/orë, duke bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin dhe të ‘fluturonte’ rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit. Shpejtësia e lartë e mjetit u konfirmua edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i nuk është përplasur me bordurën metalike të rrugës, por përfundoi në shtratin e lumit.