Kreu i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka bërë një akuzë të fortë ndaj kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adritatik Lapaj.
Ai ka publikuar një dokument ku pretendon se Lapaj ka marrë 45 milionë lekë nga një kompani të sekuestruar nga SPAK.
Shehaj thotë se arsyeja që i ka marrë, është më e rëndë se fakti që i ka marrë, teksa shton se Adriatik Lapaj është i mbështetur nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi të kalbur.
Deklarata e Agron Shehaj:
Fredinandi më shkruajti sot në mëngjes dhe më tha:
“Jo të gjitha paratë që përdor Adriatiku janë para të pista, sepse disa nga ato para i kam dhënë edhe unë.” Edhe unë, thotë Fredinandi, kam dhënë një kontribut.
Ky është një dokument i vitit 2024. E gjeni në QKB. Është bilanci i një kompanie të sekuestruar nga SPAK-u për pastrim parash, që tregon se Adriatiku ka marrë 45 milion lekë. Pyete, meqë ke kontakte me të, pse i ka marrë këto para, sepse arsyeja pse i ka marrë është më e rëndë se fakti që i ka marrë.
Mua më vjen keq, sepse shumë prej atyre që mund të kenë besuar tek Adriatiku, por edhe ata që duan të vazhdojnë të besojnë, do të zhgënjehen. Por këto janë faktet. Shkoni dhe shikoni vetë. Është dokument publik.
E vërteta është që ky është një sistem i kalbur dhe Adriatiku është i mbështetur nga i gjithë sistemi. Jo vetëm kaq, por është i mbështetur edhe nga pjesa më e errët dhe më e zymtë e këtij sistemi. Prandaj duhet të jemi të vëmendshëm dhe të shikojmë në thellësi, sepse na kanë gënjyer dhe do të vazhdojnë të na gënjejnë.
Përgjigja e Lapajt për akuzat e Agron Shehajt:
“1. E para, dokumenti në fjalë është bilanci publik sipas ligjit i një kompanie private që tregon se i ka detyrim personit fizik Avokat Adriatik Lapaj 4,5 milion lekë. Në fakt, mua më kanë borxh shumë kompani e persona që i kam përfaqësuar si avokat!
2. E dyta, nuk kam marrë 4,5 milionë, kompania që citon ti m’i ka borxh për punën si avokat. Ka afro 2 vite që nuk më likuidon lekët. Hallet e veta. Nuk i’a kanë dalë! Gënjeshtra jote e parë!
3. Z. Shehaj ju pretendoni se unë jam paguar 4,5 milionë nga kjo kompani për politikë. Në fakt ky është mashtrimi juaj i dytë i kryer publikisht. Unë si avokat këtë profesion kam! Te rasti në fjalë kam ofruar shërbime civile dhe konkretisht kam qenë avokati që ka përfaqësuar 35 familje pronare të një toke që kompania në fjalë ka blerë. Si avokat kam përpiluar kontratat dhe kam ndjekur procesin juridik.
4. Z. Shehaj ju thoni që kompania në fjalë është sekuestruar nga Spaku duke synuar që të krijoni dëmtimin tim si imazh te votuesit. Pra, doni të krijoni perceptimin që Adriatiku bashkëpunon me krimin.
Në fakt, kompania në fjalë nuk është e sekuestruar nga Spak. Gënjeshtra jote e tretë! Administratori saj është nën hetim. Halli i vet! Shërbimi im si avokat është për kompaninë afro 2 vite para se administratori saj të merrej nën hetim. Kontrata është me kompaninë dhe jo për punët e Administratorit.
Gënjeshtra jote e katërt! Kjo për të qenë korrekt, se unë dhe sot mund ta përfaqësoj pa problem atë kompani ose administratorin e saj edhe në Spak se kjo është puna ime. Përfaqësues ligjor! Avokat!
5. Z. Shehaj, nëse do qenë para që krimi m’i jepte, do m’i kishin dhënë, e nuk do më mbeteshin borxh 2 vite. Madje do m’i jepnin jo me bankë!
6. Punën si avokat nuk ma kanë paguar dhe do duhet të vete në gjyq për t’i marrë. Ndoshta dhe nuk i marr dot e puna iku dëm! Po ky është hall për mua!
7. A janë kriminelë ata apo jo, për mua ka pak rëndësi se unë nuk kam profesion të qenit Klerik, por avokat. Avokati përfaqëson edhe ata që shkelin ligjin. Madje kryesisht ata që shkelin ligjin. Është si t’i thuash doktorit pse i hoqe dhëmballën një trafikanti.
8. Unë si avokat o Agron përfaqësoj këdo dhe kam detyrim t’i deklaroj në shtet. Fakti që janë deklaruar tregon se unë punoj me kontrata e fatura, jo në të zezë. Ndoshta ti je mësuar në të zezë!
9. Ti Agron për politikë nuk paske limite, por përballë ke një njeri të ligjit! Tani, o unë do dënohem nga gjykata për bashkëpunim me krimin e organizuar o ti do dënohesh për shpifje!
10. Pa dashje, ti Agron më bëre një nder! Nga teoria lekët t’i jep Sorosi, kaluat te teoria pse punon avokat! Me pak fjalë Sorosi paska qenë jo mjaftueshëm i pasur sa të më linte të kisha nevojë për para nga krimi. Të mesme nuk ka!
Shihemi në gjykatë!