Sot ka dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Vettingu) gjyqtari Artan Laze. Ai është njëri nga gjyqtarët që Ambasada e SHBA i ka refuzuar vizën. Gjyqtari i Tiranës është i pranishëm në seancë, ndërsa mbrohet edhe nga avokati Sokol Hazizaj. Trupa gjyqësore përbëhet nga; Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici.
Vettingu për gjyqtarin do të bëhet vetëm për pasurinë duke përjashtuar anën profesionale dhe morale. Kryesuesja e trupës gjykuese tha se “në çështjen e rivlerësimit të zotit Laze kjo trupë gjykuese ka vendosur të përfundojë procesin e rivlerësimit vetëm në një kriter, atë të pasurisë. Duke mos vendosur mbi kriterin e figurës dhe atij profesional”. Nisur nga kjo avokati Sokol Hazizaj deklaroi se vlerësimi për Lazajn i bazuar vetëm në një kriter është antikushtetuese, pasi vlerësimi është tre dimensional.
Por trupa gjykuese e rrëzoi kërkesën e avokatit për të përfshirë në vlerësim të tre kriteret. Në këto rrethana avokati bëri kërkesë tjetër: Konstatoj se vendimi është i njëanshëm dhe kërkoj përjashtimin e trupës gjykuese. Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit si dhe të kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës në vitet 2003-2009.









