Yuri Kim ka ndërprerë turin e falenderimeve që po i paraprin largimit të saj nga Shqipëria për të reaguar për lirimin e parakohshëm nga burgu të Saimir Tahirit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, diplomatja amerikane kërcënoi se ata që ndihmojnë miqtë për të shmangur drejtësinë do të kenë pasoja.
“Shumë zhgënjyese të shohësh se mënyrat e vjetra të mosndëshkimit dhe privilegjimit për disa vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Këto mënyra të vjetra nuk janë të përshtatshme për një aleat të NATO-s dhe aspirantëve të BE-së dhe ato duhet të refuzohen me vendosmëri. SHBA e konsideron korrupsionin si një kërcënim thelbësor të sigurisë kombëtare. Ata që merren me dhënien ose pranimin e kërcënimeve dhe nxitjeve – për shembull, për të ndihmuar miqtë e fuqishëm – duhet të kuptojnë se veprimet e tyre do të kenë pasoja”, shkruan Kim në Twitter.
Gjyqtarja që liroi Tahirin nga burgu kaloi vetingun vetëm 4 ditë më parë
Vendimi per lirimin nga burgu u mor sot, dhe ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do ta kalojë kohën e mbetur të dënimit në shtëpi. Tahiri është dënuar me 3 vjet 4 muaj burgim, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe shumë shtete aleatë të Shqipërisë e kanë kërkuar ndëshkimin e tij me këmbëngulje.