Nga Klodian Tomorri
Një fermer shqiptar e eksporton domaten me cmim mesatar 408 dollarë për ton. Fermeri boshnjak e eksporton me 777 dollarë për ton. Ai serb e shet me 495 dollarë, ndërsa maqedonasi e shet me 557 dollarë për tonë.
Kështu me lakrën, kështu me kastravecin, shalqinjtë etj. Historia është e njëjtë për çdo produkt. Fermerët shqiptar marrin çmimet më të ulëta në rajon për eksportin e frutave dhe perimeve. Ndjeshëm më të ulët se të tjerët.
Pse ndodh kjo? Për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria nuk eksporton dot masivisht në BE-së sepse nuk plotëson standardet e kërkuara të sigurisë ushqimore. Ndaj fermerët shqiptarë detyrohen të shesin lirë tek vendet fqinje të rajonit, të cilat kanë kritere më të lehta.
Në dy vitet e fundit, në Sistemin e Alarmit të Shpejtë të Ushqimit, (sistemi që përdor BE për të parandaluar hyrjen e produkteve ushqimore nën standard) ka patur 38 njoftime për produktet me origjinë nga Shqipëria. Shumica e njoftimeve ishin ose për mungesë higjene, ose për mbipërdorim kimikatesh ose për përdorim të kimikateve të ndaluara në BE. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka normën më të lartë të refuzimit të eksporteve bujqësore ndër vendet fqinje. Pa përmendur këtu faktin, që për mishin, bulmetin dhe pulat ka refuzim kategorik për eksport në BE.
Pse është mbyllur tregu i BE për fermerët shqiptarë? Të tregtosh produkte ushqimore në tregjet e pasura duhet të kesh një sistem menaxhimi të certifikuar për sigurinë ushqimore. Një nga më të njohurit që përdoret aktualisht në BE është FSCC 22000. Në Shqipëri ka sot vetëm 2 kompani të certifikuara me FSCC 22000. Në Greqi ka 300 kompani, në Serbi 182 kompani, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 17 kompani. Pse nuk certifikohen fermerët shqiptarë?
Për dy arsye kryesisht. Së pari mungesa e informacionit. Dhe normal. Sepse nuk mund të presësh nga fermerët që të kenë njohuri për ndryshimet ligjore në kërkesat dhe standardet e BE për bujqësinë. Por këtu problemi është edhe më i thellë sepse nuk ka qartësi as se kujt duhet t’i drejtohen. Kujt institucioni apo agjencie shtetërore duhet t’i drejtohen për informacion dhe cili institucion apo agjenci shtetërore mbikqyr aspektet e ndryshme të sistemit të sigurisë ushqimore? Nuk e di as vet qeveria.
Së dyti, kostoja e lartë. Duke e mbajtur tregun të mbyllur me vetëm një kompani çertifikimi, sigurisht që kostot janë më të larta. Monopoli këtë bën.
Tani, kjo histori ka 30 vjet. Gjatë kësaj kohe kemi ndërruar më shumë ministra bujqësie nga sa ndërroi Henri i Tetë gra. Por asnjëri nuk e bën dot kaq gjë. Është pa asnjë kosto buxhetore. Mirë për subvencione që nuk kemi para, po këtë pse nuk e bëni?
Pse nuk i nxirrni aktet nënligjore për të plotësuar kuadrin ligjor të sigurisë ushqimore? Pse nuk i këshilloni dhe informoni fermerët si të çertifikohen? Pse nuk u shpjegoni që kështu do fitojnë më shumë para? Pse e mbani të mbyllur tregun e trupave çertifikuese në industrinë ushqimore? Nëse nuk kanë para, pse mos ta marrë përsipër qeveria koston e certifikimit? Bëni këto njëherë. Pastaj merruni me konferencat për teknologjinë dhe shkencën e avancuar në bujqësi.