Disfata 0-2 brenda në “Camp Nou” pa diskutim nuk u prit mirë nga trajneri Hansi Flick, jo vetëm për rezultatin që prodhoi akti i parë, por dhe disa episode shumë të kontestuar, mungesa e një kartoni të kuq për Pubill, një penallti e pa dhënë në faror të Barçës dhe shumë episode të tjera. Pas ndeshjes, Hansi Flick nuk ishte aspak i qetë, ku pasi bëri një moviolë të detajuar për këto episode, pranoi që kjo nuk ishte mbrëmja e tyre:
“Ishim të pafat, nuk ishte mbrëmja jonë. Kartoni i kuq dhe menjëherë më pas goli i Atletico-s, por gjithsesi, jam krenar për ekipin tim. Edhe në pjesën e dytë, edhe pse me një lojtar më pak, bëmë mirë”, u shpreh Flick.
Pavarësisht se ekipi i tij pësoi një humbje 2-0 në shtëpi, tekniku gjerman ka besim për ndeshjen e kthimit: “E dimë që do të jetë e vështirë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe pozitiv. Kemi lojtarë me cilësi për të përmbysur ndeshjen. Objektivi ynë është të shkojmë në finale, rruga është e gjatë dhe e vështirë, por ne do të bëjmë gjithçka për ta arritur”, theksoi Hansi Flick në konferencë për shtyp.
Ndryshe nga Flick, Diego Simeone nuk preferoi të bëj moviole, por nuk ndal tek një tjetër detaj shumë domethënës, fakti që kjo ishte fitorja e parë e Atletico Madrid në Barcelonë pas 20 vitesh:
“Herët apo vonë diçka e tillë do të vinte, kishte shumë kohë që Atletico nuk fitonte këtu. Barcelona ka një ekip shumë të fortë, mendoj gjithmonë për lojtarë si Yamal. Gjithsesi, kjo fitore nuk do të thotë asgjë. E dimë se sa e vështirë do të jetë ndeshja e kthimit. Nuk ka kohë për t’u qetësuar, duhet të qëndrojmë të përqendruar deri në fund”, u shpreh Diego Simeone.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







