Mesa duket trafikantët shqiptarë kanë nevojë për “ndihmën dhe ekspertizën” e venezuelianëve për kultivimin e drogës. Policia njoftoi dje arrestimin e dy personave në Gjirokastër, një shqiptar të moshës 31 vjeçare dhe “mikun” e tij nga Venezuela. Dy të rinjtë dyshohet se janë pjesë e kultivimit të një sasie të madhe droge, e gjetur në fshatrat e Përmetit. Policia nuk jep shumë detaje në lidhje me çështjen në fjalë por shprehet se V.M nga Tepelena dhe A.M nga Venezuela janë prangosur nën dyshimin e kultivimit të narkotikëve. Ngjarja mbetet e rrethuar me mister dhe grupi hetimor në Prokurorinë e Gjirokastrës tregohet i rezervuar në dhënien e detajeve. A ishte në rolin e ekspertit shtetasi nga Venezuela, apo në rolin e financuesit të aktivitetit kriminal të mbjelljes së kanabisit në zonat malore të qarkut Gjirokastër?
“Në vijim të komunikatës që bënë fjalë për veprat penale “Trafikim i narkotikëve” dhe “Kultivimi i narkotikëve”, u arrestuan në flagrancë shtetasit V. M.,dhe A. M., vjeç31 e 30, banues në fshatin Veliqot Tepelenë dhe Venezuelë. Materialet i kaluan Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Nenet 283/a dhe 284 të Kodit Penal”, thuhej shkurt në njoftimin e policisë Gjirokastër.
Qarku Gjirokastër vazhdon të mbetet problematikë në kultivimin e drogës. Vetëm gjatë muajit korrik janë zbuluar disa parcela në zonat malore. Sasia më e madhe u kap në mesin e muajit korrik në fshatin Skore të Dropullit. Mbi 2300 rrënjë kanabis në 6 parcela. Policia arrestoi dy pesona, por për operacionin nuk u publikua asgjë zyrtarisht. Informacioni për ngjarjen rodhi në media.
© ArgjiroLajm.net