Arsenal është thjesht perfekt në Champions, me djemtë e Artetas që nuk njohin rival në këtë edicion, ekipi i vetëm me pikë të plota, 6 ndeshje 18 pikë, 17 gola të shënuar vetëm 1 i pësuar. “Topçinjtë” kalojnë pa shumë probleme Club Bruges, triumfuan me rezultatin e pastër 0-3 ku Madueke bëri heroin, me sulmuesin anglez qe shënoi një “dopietë” golash.
Në minutën e 25-të, Madueke realizoi një super gol, ku me një aksion personal të nisur nga mesi i fushës dërgoi topin në trekëndësh. Arsenal nuk e vendosi ndeshjen për asnjë moment në dyshim, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Madueke e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë, i shërbyer në mënyrë perfektë pak mbi vijën fatale. Për të mbyllur llogaritë me belgët mendoi Martinelli, me sulmuesin brazilian që realizoi një gol fantastik në minutën e 56-të.
Pas këtij goli, Arsenal thjesht menaxhoi pjesën e mbetur të ndeshjes, me Artetën që shijon këtë sukses, edhe pse tregohet i sinqertë teksa theksoi se nuk e priste një ecuri të tillë në Champions: “Jo, nuk e prisja kaq mirë, për më tepër duke parë edhe mungesat e shumta që kemi pasur. Kjo tregon se ekipi mund të përshtatet. Na jep besim për të ardhmen”, u shpreh Arteta.






