Atmosfera në kampin e Vllaznisë është larg entuziazmit që zakonisht shoqëron nisjen e një sezoni të ri. Rezultatet e para kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme rreth skuadrës, ndërsa kuqeblutë po përjetojnë një moment ku presioni sa vjen e rritet. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini duket se po përballet edhe me një ngërç psikologjik.
Mungesa e fitores në javët e para, e shoqëruar me paraqitje që nuk kanë bindur plotësisht, ka bërë që skuadra të mos gjejë ende ritmin dhe qetësinë e nevojshme për të nisur një ecuri pozitive. Në këto kushte, Vllaznia është e detyruar të reagojë sa më shpejt. Çdo ndeshje e radhës merr një peshë të veçantë, pasi një tjetër rezultat negativ do të shtonte edhe më shumë pikëpyetjet mbi skuadrën dhe objektivat e saj. Sezoni është ende në start, por hapësira për gabime po ngushtohet.
Edhe tifozët kuqeblu nuk po e fshehin pakënaqësinë. Në rrjetet sociale janë shtuar reagimet, shpesh kritike ndaj situatës së skuadrës, drejtuesve dhe stafit teknik. Entuziazmi i fillimit të sezonit duket se po zëvendësohet gradualisht nga shqetësimi dhe kërkesa për një reagim të menjëhershëm. Një tjetër element që bie në sy në Shkodër është edhe qasja e disa prej ekspertëve të futbollit.
Në një moment kur pritet më shumë analizë dhe debat për situatën e 9 herë kampionëve të vendit, disa prej tyre kanë refuzuar ftesat për intervista apo dalje televizive për të folur konkretisht rreth gjendjes së Vllaznisë.
Në Shkodër tashmë pritet kthesa. Martini dhe futbollistët e tij duhet të gjejnë mënyrën për të rikthyer qetësinë, besimin dhe mbi të gjitha rezultatet. Nëse kriza dhe atmosfera e rënduar vazhdojnë, një sezon që sapo ka nisur mund të komplikohet shumë më herët nga sa ishte parashikuar.
Fitorja me Teutën do të ishte si ilaç për kuqeblutë, në rast të kundërt situata do të agravohej edhe më shumë duke i hapur rrugën edhe ndonjë vendimi “të hidhur” në lidhje për të ardhmen.








