Dhuna dhe kërcënimet e bashkëjetuesit u bënë shkak që një 34-vjeçare në Fier të tentonte vetëvrasjen.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Afrim i Ri” në Fier, ku sipas policisë, 45-vjeçari me inicialet A.Y. ka ushtruar dhunë ndaj partneres dhe e ka kërcënuar me thikë. Dyshohet se 34-vjeçarja, e frikësuar nga partneri, ka tentuar të vrasë veten, duke u hedhur nga ballkoni.
Burime zyrtare bënë me dije se shpallën në kërkim A. Y., banues në lagjen “Afrim i Ri”, teksa 34-vjeçarja ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, një 27-vjeçar është arrestuar në Ballsh, nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij. Ndërkohë, për dhunë ndaj vajzës së tij është vënë në pranga një 50-vjeçar në Dushk të Lushnjës.
Po ashtu, në Lushnjë është vënë nën hetim 45-vjeçari me iniciale A.K., pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka shkuar në banesën e bashkëshortes, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtje.
Ndërsa Komisariati i Policisë Fier referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas 17 vjeç, banues në Vjosë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.