Boshatisnin apartamente e dyqane në Bassano e Marca, por në fund ngecën në rrjetën e ngritur nga karabinierët. Dje, karabinierët e kompanisë së Bassano del Grappa, të ndihmuar në fazën e ekzekutimit edhe nga kolegët e njësive të Trevisos, Montebellunas dhe njësitë e qenve, në kuadrin e operacionit të koduar me emrin ‘Enea’, arrestuan shqiptarin Enea Gjyra, 26 vjeç, dhe italianin Denis Pivetta, 45 vjeç, pas kontrollit të ushtruar në katër banesa.
Operacioni i koordinuar nga prokuroria e Vicenzas nisi pas një serie vjedhjesh, shpesh edhe brenda një dite, në territorin e Bassanos dhe Trevigianos, në periudhën midis gushtit e nëntorit të vitit të shkuar, kryer në banesa e biznese.
Sipas hetimeve, dy të arrestuarit shkonin në objektivat e tyre me një BMW të zezë, dhe pasi hapnin me forcë strukturat dhe vidhnin pará e sende me vlerë, baras me shumën e përgjithshme rreth 80 mijë euro, pa llogaritur këtu dëmet që iu shkaktonin banesave e bizneseve ku hynin.
Identifikimi i tyre dhe vërtetimi i akteve u bë përmes regjistrimeve të shumta të kamerave të sigurisë në biznese, rrugë si dhe nga dëshmi të shumta që çuan në prangosjen e dy autorëve.
Gjatë kontrollit në banesa, Gjyrës iu gjetën edhe 1.6 kile marijuanë.
Në banesën e bashkëjetuesve Aledon Qarku, shqiptar 29-vjeçar, e Tatiana Mishçenko, ukrainase, 34-vjeç, u gjetën 625 gram marijuanë, çka solli edhe arrestimin e tyre. Një tjetër shqiptar, me iniciale B.O., 39 vjeç, u denoncua në gjendje të lirë pasi iu gjet 1 gram kokainë, dy peshore precizioni dhe material konfeksionimi.









