Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal sërish në konferencën e sotme për shtyp tek intervista e ish-zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj. Berisha tha se dëshmia e Ahmetajt është dëshmi e shekullit sepse shqiptarët, sipas tij, mësuan me dokumente vjedhjet familjare të kryeministrit Edi Rama. Ai shtoi se dëshmitë tronditëse me dokumente të Arben Ahmetajt në çdo vend të botës rrëzojnë çdo qeveri.
“Nuk gjendet kund një popull i civilizuar që mund të tolerojë një kryeministër, i cili i lejon vetes luksin më të shfrenuar, më të pabesueshëm. Kur unë lexova për herë të parë se Edi Rama shijonte Romanee Conti në restorantin e tij, m’u duk e pabesueshme, por kur doli shishja dhe dëshmitari okular, ajo përbën një abuzim ekstrem të një zyrtari”, tha Berisha.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Jam sot për të ftuar çdo qytetar që e ndjen veten të mashtruar nga ky regjim të bashkohemi në protestën më të fuqishme që ka parë Tirana në historinë e saj. Dëshmitë tronditëse me dokumente dhe okulare të Arben Ahmetajt në çdo vend të botës rrëzojnë çdo qeveri. Kjo është e vërteta. Nuk gjendet kund një popull i civilizuar që mund të tolerojë një kryeministër, i cili i lejon vetes luksin më të shfrenuar, më të pabesueshëm. Kur unë lexova për herë të parë se Edi Rama shijonte Romanee Conti në restorantin e tij, m’u duk e pabesueshme, por kur doli shishja dhe dëshmitari okular, ajo përbën një abuzim ekstrem të një zyrtari.
As perandori i Japonisë, as mbreti i Britanisë së Madhe, vende demokratike, nuk i lejon vetes një abuzim të tillë. Këto janë tipare tipike të sundimtarëve absolutë që nuk i lidh asgjë me qytetarët e tyre. Po në qoftë se luksi i shfrenuar është dëshmi e karakterit të degraduar të Edi Ramës, vjedhjet e tij të mëdha kanë pasoja të rënda tek qytetarët shqiptarë. Me 20 milionë euro avion taksi, me 5 milionë euro vazo në oborrin e kryeministrisë, me bileta 28 mijë euro për një ndeshje, me 10 mijë euro për seanca detoksi, tejkalohet çdo lloj norme morale për një njeri të civilizuar, në një kohë kur dhjetëra mijëra, në mos qindra mijëra shqiptarë mezi mbyllin javën apo muajin me gjysmë pensionet, çerek pensionet që marrin.
Dëshmia e Arben Ahmetajt do mbetet dëshmi e shekullit, sepse në këtë dëshmi, shqiptarët mësuan me dokumente vjedhjet familjare të Edi Ramës. Shqiptarët kishin lexuar se tenderat e AKSHI-it i përcaktonte tërësisht, Armand Frangu, kunati i Linda Ramës me kunatën zonjë të kryeministrit. Kishin dëgjuar se regjistrimi ambiental fliste për këto gjëra, por Arben Ahmetaj solli prova me shkresa se baxhanaku i Edi Ramës i shisnin kompjuterët shtetit me çmime të dhjetëfishta. Fitonin dhjetëra milionë euro tendera pa garë dhe se urdhër arresti për të dhe drejtoreshën e AKSHI-t ishte grisur nga Edi Rama.