Në takimin me diasporën në Parma, kryedemokrati Sali Berisha tha se Shqipëria madhështore është qëllimi më madhor i jetës së tij.
Berisha tha se Shqipëria duhet të përqafojë teknologjitë dhe inovacionin e së ardhmes.
Sipas tij, Shqipëria duhet të bëhet një qendër rajonale e inovacionit dhe teknologjisë së lartë.
Ai theksoi se vendi ka potencialin për t’u shndërruar në një lider në fushën e blockchain-it, kriptomonedhave dhe inteligjencës artificiale.
“Ndaj dhe programi ynë, së pari një Shqipëri ku jetohet normalisht. Objektivi i parë, më i rëndësishëm, një Shqipëri ku biznesi ka sukses, ka besim, sjell investime, krijon vende pune, zgjeron aktivitetin. Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj mafies dhe krimit të organizuar. Një Shqipëri me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Këto janë të domosdoshme, janë themele, por nuk mjaftojnë. Shqipëria madhështore kërkon që ëndrra e bijave dhe bijve të saj, të ndërtohet në Shqipëri dhe të ndërtohet me të avancuarat që ka koha. Kjo kërkon që Shqipëria të bëhet një epiqendër e rëndësishme e high-tech-ut në rajon dhe më gjerë. Të bëhet Shqipëria e internetit 3, e blockchain, e kriptomonedhave, e inteligjencës artificiale, e datacenter-ave. Kjo është Shqipëria e ëndrrës rinore shqiptare. Kjo do jetë Shqipëria madhështore. Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën shqiptarëve se ky është qëllimi më madhor i jetës sime në këtë stad”, tha Berisha.