Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi pas protestës së sotme se sulmi ndaj shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha erdhi si pasojë e një “mashtrimi” nga agjentë të infiltruar.
Sipas Berishës, “agjentë të policisë kriminale” kanë përhapur informacionin se në atë banesë jetonte kryeministri Edi Rama, çka – sipas tij – ka nxitur reagimin e protestuesve.
“E gjithë beteja ishte shpërthim urrejtje ndaj Edi Ramës dhe jo ndaj ndërtesave. Por Edi Rama nuk banonte aty. Banon në Surrel ose tek vila e Mehmet Shehut”, u shpreh Berisha, duke shtuar se “agjentë të infiltruar” tentuan të devijonin protestën.
Ai e cilësoi protestën si “madhështore dhe paqësore”, ndërsa akuzoi drejtues të policisë për dhunë dhe i quajti “vasalë” të kryeministrit.
Deklaratat e Berishës vijnë pasi gjatë protestës pati hedhje molotovësh dhe përplasje me policinë. Në reagimin e tij, ai la të kuptohet se objektivi i zemërimit të protestuesve ishte banesa e kryeministrit, ndërsa këtë herë nuk u shënjestrua godina e Kryeministrisë.
Nga ana e autoriteteve nuk ka ende një reagim zyrtar mbi pretendimet për “agjentë të infiltruar”. Situata e mbrëmjes u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të policisë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.









