Blegtorët e zonave të jugut kanë dalë sërish këtë të dielë në protestë, vetëm dy javë pas takimit me ministren e Bujqësisë Anila Denaj, ku siç duket nuk ka dhënë rezultat.
Blegtorët në prononcimet për mediat shprehen se që pas takimit nuk ka pasur më asnjë kontakt me ministrinë dhe zëri i tyre duket se ka rënë sërish në vesh të shurdhër.
Ata kanë hartuar një peticion ku kanë parashtruar të gjitha kërkesat e tyre për rregullimin e tregut dhe çmimit të qumështit e mishit të gjedhëve. Ditën e sotme fermerët e kësaj zone kanë nisur edhe mbledhjen e firmave për t’i parashtruar edhe zyrtarisht kërkesat e tyre ministrisë.
“Jemi mbledhur përsëri pas dy javësh dhe kemi bërë një peticion për ato pika që i kemi thënë zonjës ministre. Në këtë peticion marrin pjesë fermerët e bashkive të Jugut. Nga ana e ministrisë kërkojmë rigjenerimin e kullotave dimërore që janë jofunksionale. Kërkojmë me çdo kusht rregullimin e tregut të mishit. Kërkojmë të zbatohet projekti Arab që ngritët me të madhe para dy vitesh, sepse nga ai prodhim mishi që vjen nga jashtë jemi të penalizuar, sepse është i subvencionuar dhe nuk i dihet origjina. Kërkojmë të shihen me përparësi veprat ujore që janë lënë pas dore. Janë ndërtuar në vitet ‘60 dhe janë të amortizuara.” – tha Alket Stroka, një prej blegtorëve.
Po ashtu blegtorët kërkojnë investime në veprat ujore si kanale kulluese dhe vaditëse, por dhe rregullimin me ligj të kullotave. Ata po ashtu shprehën shqetësim për ligjin e subvencionimeve, duke kritikuar skemën e shpërndarjes së financimeve që Bashkimi Europian jep për bujqësinë shqiptare.








