Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzeve, në Kalanë e Libohovës është zhvilluar sot një aktivitet nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi”, me mbështetjen e Bashkisë Libohovë dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe një panair me gatime tradicionale të përgatitura nga nxënësit dhe familjet e tyre. Në fjalën përshëndetëse kryebashkiakja Luiza Mandi vlerësoi angazhimin e nxënësve dhe qytetarëve, dhe tha se me këtë aktivitet çelet zyrtarisht sezoni turistik në Libohovë.
Sipas saj Libohova ndonëse është një vend i vogël ka resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit kulturor e atij familjar.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Albert Kasi, drejtori i Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Gjirokastër. Dita Ndërkombëtare e Muzeve zhvillohet çdo vit më 18 Maj. Kjo ditë është krijuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve në vitin 1977.
/Libohova Online/