Vrasja e 72-vjeçarit Faik Ajdini në fshatin Zhapokike të Memaliajt dyshohet se është kryer për një konflikt me një nga çobanët e zonës, me të cilët dy muaj më parë ai ka pasur përplasje lidhur me një kullotë për bagëtitë.
Viktima Ajdini shërbente si kryeplak i fshatit pranë bashkisë Memaliaj. Ai ishte njeriu që merrej me ankesat e bashkëfshatarëve duke i adresuar këto ankesa në strukturat policore dhe bashkisë Memaliaj.
Për momentin prokuroria e Gjirokastrës që po heton rastin e lidh ngjarjen për shkak të detyrës që kryente 72-vjeçari Faik Ajdini.
Ndërsa konflikti për kullotën e bagëtive është motivi kryesor.
I moshuari kishte dy ditë që nuk ishte paraqitur në shtëpi. Ndërsa ditën e djeshme, familjarët kishin bërë denoncim në policinë e Memaliaj.
Njëherësh kërkimet janë kryer nga anëtarët e familjes së Faik Hajdinit, i cili mëngjesin e sotëm është gjendur buzë një përroi që lidhet me lumin Vjosa. Policia ka identifikuar autorin dhe po punon për kapjen e tij.
NJOFTIMI
Veprimet e shpejta profesionale dhe hetimore në vendngjarje, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor bëjnë të mundur zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës së 72-vjeçarit dhe identifikimin e autorit të dyshuar të vrasjes së tij.
Me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor dhe kapjen e autorit të dyshuar nuk po bëjmë publike gjenealitetet e tij, deri në momentin e kapjes dhe arrestimit.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dhe nga ekspertiza paraprake mjekësore, në trupin e 72-vjeçarit janë konstatuar dëmtime të dyshuara të shkaktuara me mjet prerës. Këto dëmtime dyshohet se janë bërë shkak për humbjen e jetës së shtetasit F. A.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në terren dhe në ambiente ku dyshohet se mund të fshihet autori.
Nderkohë, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, po punon për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Ngjarja u vlerësua maksimalisht nga ana e Policisë dhe u punua me profesionalizëm, angazhim i cili çoi në zbardhjen e ngjarjes.
Të gjitha veprimet në terren janë drejtuar dhe ndjekur nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, së bashku me 2 zëvendësdrejtorët e DVP Gjirokastër, Shefin e Seksionit të Krimeve të Rënda, Shefin e Komisariatit të Policisë Tepelenë, Shefin e Stacionit të Policisë Memaliaj dhe me drejtues të tjerë të DVP Gjirokastër.