Çelsi është shpallur kampione e Ligës së Kampioneve, pasi ka fituar ndaj Mançester City me rezultatin 1:0. Blutë e Londrës fituan ndeshjen, falë një goli të shënuar nga ana e Havertz në fund të pjesës së parë.
Një ndeshje e denjë për një finale të Champions League dhe ishte Man. City që e nisi më mirë betejën me dy raste të Sterling ndërsa iu përgjigj Chelsea me Werner dhe në të gjitha rastet ishin lojtarët të pasaktë. Skuadra e Guardiolës ruan epërsinë e qarkullimit por mbrohet shumë mirë skuadra e Tuchel që në fakt humbet një lojtar të rëndësishëm si Thiago Silva për probleme fizike në minutën e 39’. Një goditje për Chelsean që në fakt arrin të gjejë dhe avantazhin pak para fundit të pjesës së parë me Kai Havertz. Pas një pasimi nga e majta, gjermani del i vetëm para Ederson të cilin e shmang, topi devijohet por sërish në këmbët e lojtarit që realizon avantazhin. Është minuta e 42’ dhe për Citizens është goditje e rëndë.
Me fillimin e pjesës së dytë skuadrat duken të kujdesshme me Chelsean që tenton me topa të gjatë ndërsa City bën lojën. Ndërkohë në 60’, kampionët e Anglisë marrin një tjetër goditje pasi De Bruyne, një ndër më të mirët e ndeshjes lë takimin për probleme fizike dhe në vend të tij futet Gabriel Jesus. Menjëherë në 62’, City kërkon një penallti për prekje të topit me dorë por Lahoz bën shenjë që topi preku trupin e më pas dorën.
Rritet presioni i skuadrës së Guardiolës ndërkohë që Tuchel heq një Werner të përgjumur dhe fut Pulisiç i cili në 72’ ka shansin e golit të nokautit ku pas një pasimi nga Kante pothuajse vetëm përballë Ederson gjuan jashtë kuadradit.
Guardiola luan edhe kartën Aguero 10 minuta nga fundi por Chelsea me meritë mbrohet shumë mirë dhe në fund shpallen kampionë të Europës duke arritur titullin e dytë në histori pas atij të sezonit 2012 ku mposhti Bayernin me penallti.mAsgjë për të bërë për Guardiolën që e çoi për here të parë në histori ekipin e Citizens por duhet të mjaftohet me titullin në Premier League ende.