Makina B3, sedilja 67. Kjo ishte sedilja ku ishte ulur 23-vjeçarja fatkeqe Ifigenia Mitska, e cila është mes të vdekurve në aksidentin hekurudhor në Tempi. Trupi i vajzës fatkeqe u identifikua nga analiza e ADN-së, ndërkohë që miqtë dhe të afërmit e kërkonin përmes rrjeteve sociale. Avokati i familjes së saj ka postuar një foto që ai ka bërë nga brenda vagonit të trenit Intercity 62.
Fotoja e postuar nga zoti Sourlas në profilin e tij në Facebook tregon ashpërsinë e përplasjes mes dy trenave pasi gjithçka është shkatërruar.
Sourlas duke folur për protothema.gr thekson se ajo që kërkojnë prindërit e 23-vjeçares Ifigenia është që të caktohen përgjegjësitë dhe të ndëshkohen përgjegjësit kushdo qofshin ata.
“Familja e 23-vjeçares së ndjerë Ifigenia Mitska është e shkatërruar dhe e tronditur nga vdekja e parakohshme e vajzës së tyre. Ajo që ata kërkojnë është që të caktohen përgjegjësitë, të dënohen përgjegjësit, kushdo qofshin ata”.
Varrimi i vajzës do të bëhet në orën 11:00 të mëngjesit të së shtunës në Giannica. Vajza ishte me origjine shqiptare. Më herët, Stelios Sourlas duke folur për gazetarët deklaroi se askush nga kompania nuk ka kontaktuar me familjen për të kërkuar falje.
“Ka përgjegjësi dhe nuk janë vetëm për komandantin e stacionit por janë të zgjeruara. Ka përgjegjësi penale për kompaninë dhe drejtuesit politikë, të cilët ndër vite nuk janë kujdesur që të mbikëqyrin masat e sigurisë që duhet të ishin”, tha ai.
Më pas ai tha se prej dy ditësh 23-vjeçarja Ifigenia ishte e zhdukur pasi nuk ishte as në listën e të plagosurve dhe as në listën e të vdekurve dhe familja po jetonte një thriller.
“Kjo ua përkeqësoi psikologjinë, ata ishin në telefon duke pritur lajmin e mirë se vajza e tyre është gjallë. Fatkeqësisht kjo telefonatë e këndshme nuk erdhi kurrë, përkundrazi erdhi ajo që u theu zemrat”, nënvizoi Sourlas. 23-vjeçarja Ifigenia ishte me të fejuarin e saj
Në të njëjtën kohë, avokati i familjes së Ifigjenisë foli për Alpha dhe tha se 23-vjeçarja ishte në tren me të fejuarin e saj, i cili ka pësuar djegie nga temperaturat që u shfaqën pas zjarrit që shpërtheu pas përplasjes së trenave.
Sipas avokatit të familjes Mitska, i fejuari i Ifigjenisë fillimisht e zhvendosi atë në një pjesë tjetër të karrocës së bashku me një fëmijë tjetër. Ai ka treguar se ajo kishte gjak në kokë, duke pretenduar se Ifigenia fillimisht kishte puls.
I fejuari i 23-vjeçares kujton ndër të tjera se kur e kanë marrë shpëtimtarët ka arritur t’u thotë “merrni edhe të dashurën time”. Foto-dokument nga karroca e 3-të pak para përplasjes
Ndërkohë ka dalë në dritë një foto nga karroca e 3-të pak para përplasjes fatale në Tempe, ku humbën jetën 57 persona. Është vagoni 3 i trenit fatal IC 62 pak para përplasjes së rëndë në Tempe.
Siç shihet edhe në foto, vagoni është i mbushur plot dhe pasagjerët janë ulur në vendet e tyre pa asnjë paralajmërim për atë që do të pasojë. Aty pranë ndodhet makina e restorantit ku forcat zjarrfikëse po tentojnë të lokalizojnë pasagjerët.
Foto është postuar në llogarinë e tij personale në Facebook nga kriminologu Vassilis Noulezas, i cili ka marrë përsipër përfaqësimin e disa prej të plagosurve. Fotoja është nga celulari i një pasagjeri të ri, i cili kishte zbritur nga treni para aksidentit.
Sipas informacioneve, në këtë vagon ishte dhe 34-vjeçarja Athina Katsara nga Katerini, e cila u identifikua si ndër viktimat e tragjedisë dhe bashkëshorti i saj i cili po trajtohet në Spitalin Universitar të Larisës.