Nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” kanë protestuar këtë të premte para komisariatit të policisë, duke bërë thirrje për drejtësi. Protesta vjen pas një konflikti të dhunshëm që ndodhi në shkollë tri ditë më parë. Sipas rrëfimit të nxënësve, ngjarja ka ndodhur më datë 3 mars në mëngjes, kur një nxënës 15-vjeçar, në vitin e parë, ka sharë dhe ofenduar shokun e klasës, pasi ai i kishte mbyllur pa dashje derën e klasës. Të dy janë thirrur në drejtori, por konflikti nuk u shua.
Nxënësit kanë deklaruar, se agresori ka shkuar në shtëpi, ka marrë thikën dhe i ka zënë pritë shokut të tij sapo doli nga oborri. Nxënësit thanë gjatë protestës, se ndihen të pasigurt dhe akuzojnë drejtorin e shkollës, Tigri Berberi, se nuk e përjashton agresorin për shkak të pasurisë së babait të tij.
Gjimnazistët theksojnë se do të protestojnë çdo ditë përpara komisariatit për të kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë së 15-vjeçarit që plagosi shokun e klasës. Ata thanë se nuk do të tërhiqen pa u garantuar siguria në shkollë dhe ndëshkimi i autorit.
“Dëgjo, unë djalin që kishte thikën e kam në klasë edhe ishte gjithmonë problematik. Nuk është hera e parë që ne përballemi me këtë gjë. Ndoshta nuk është hera e parë për këtë vit që ai bën këto gjëra, por më përpara nëntëvjeçare ai është përballur me këto gjëra. Edhe thjesht drejtori i shkollës nuk mori asnjë masë për këtë. Ne e kemi në klasë dhe e shohim çdo ditë. Nuk mendoj se ai ka vend që të vijë këtu në shkollë. Përkundrazi ai duhet vetëm që të dënohet.
Sa për babain e tij, ai vjen këtu në shkollë, na jep moral dhe na thotë që jemi gënjeshtarë. Vjen këtu te porta e hyrjes së shkollës tonë dhe i bie xhepit me krenari, ndërkohë që ne i themi që leku nuk blen gjë. Ne kërkojmë sigurinë tonë dhe drejtësi për atë djalin, sepse nuk është e drejtë që ai të vijë këtu në shkollë më pas gjithë asaj që ndodhi, sepse ne nuk do jemi të sigurt më në këtë shkollë nëse ai kthehet përsëri këtu dhe ne do ta vazhdojmë protestën nëse ai do kthehet,” thonë gjimnazistët.









