Deputeti i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi ka qenë së fundi në Bruksel si pjesë e një delegacioni me deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Bashkë me fotot që ka shpërndarë në Facebook, Golemi tregon se ndër të tjera delegacioni shqiptar ka patur një takim edhe me David McAllister, i cili u bë i njohur në Shqipëri në muajin maj të vitit të shkuar. Ai mbërriti si i dërguari i BE-së për të zgjidhur krizën politike, për t’i dhënë fund çadrës së opozitës dhe futjen e saj në zgjedhje. Ja çfarë shkruan Golemi.
“Dy ditë intensive dhe plot frymëzim në Bruksel, ku isha pjesë e delegacionit të deputetëve të rinj të Kuvendit të Shqipërisë. Bashkë me kolegë të tjerë, patëm takime përshëndetëse me zv.Presidenten e Parlamentit Europian, znj.Heidi Hautala, me drejtuesen e Delegacionit të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit Shqipëri-BE, znj. Monica Macovei, si dhe me z. David McAllister, kryetari i Komitetit të Politikës së Jashtme të PE. Në tematikat e shtruara për diskutim gjatë kësaj vizite studimore, u vlerësuan reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare vitet e fundit, si dhe u vu theksi në mënyrë të veçantë tek zbatimi i reformës në drejtësi, për të përshpejtuar më tej integrimin e Shqipërisë në BE.”
©ArgjiroLajm.net















