Derbi i parë i Madridit i shkon Colo Simeones, me Atletico-n që triumfon 2-1 përballë Realit. Në provën e parë të vërtetë, Jose Mourinho dhe të besuarit e tij zhgënjejnë, me Realin që e sheh veten të shkëputur me 5 pikë pas vetëm 7 javësh në La Liga. Në “Metropolitano”, pjesa e parë ishte zhgënjyese, me shumë faulle, kartonë dhe pak raste për shënim, por tabloja e këtij derbi ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, pas minutës së 50-të, ku Real Madrid mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Huijsen, me këtë të fundit që shkaktoi faull ndaj Giuliano Simeones.
Gjyqtari i takimit fillimisht akordoi karton të verdhë, por pasi rishikoi pamjet në VAR largoi me të kuqe mbrojtësin spanjoll. Nga pika e bardhë, Grimaldo u tregua i saktë duke kaluar Atletico-n në avantazh në minutën e 53-të.
Gjashtë minuta më pas, Giuliano Simeone ishte sërish protagonist, këtë herë duke dhuruar një assist të pastër për Jonathan David, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat. Reali u përpoq të rikthehej në lojë, por goli erdhi vonë në minutën e 89-të me Rudiger që ngushtoi shifrat në 2-1 pas një goditje të saktë me kokë gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Atletico-n që feston për këtë sukses në derbi që i vendos në vendin e dytë në La Liga, -5 pikë nga Barcelona kryesuese.
Derbi i Madridit mori faqet e para të mediat spanjolle: Atletico argëtohet, shpërthen Mourinho, shkruan MARCA në faqen e parë. “Atletico e madhe, ndizet zjarri ndaj arbitrave”, shkruan AS duke iu referuar polemikave dhe akuzave të Mourinhos në konferencë për shtyp.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







