Derbi i javës së 22-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, që u zhvillua të dielën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” është mbyllur pa fitues, 1:1.
Përballja e dy skuadrave pretendente në garën për titull, prodhoi futboll cilësor, ritëm të lartë dhe dy gola spektakolarë, duke konfirmuar edhe një herë rivalitetin tradicional ndërmjet tyre. Pjesa e parë u karakterizua nga lojë e kujdesshme, me duele të forta në mesfushë dhe përpjekje të vazhdueshme për të krijuar epërsi territoriale.
Momentin vendimtar të kësaj periudhe të lojës e solli Mario Ilievski, i cili në minutën e 43-të realizoi një gol të jashtëzakonshëm po thuajse nga gjysmëfusha, duke i dhënë epërsinë skuadrës vendase.
Megjithatë, reagimi i Dritës ishte i shpejtë në pjesën e dytë. Në minutën e 54-t, Blerim Krasniqi finalizoi me mjeshtëri një asistim të Liridon Balajt, për të barazuar shifrat në 1:1. Pas golit të barazimit, loja u hap edhe më shumë, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e fitores, por pa arritur të ndryshojnë rezultatin.
Barazimi në kryeqytet, ka bërë që Ballkani të rikthehet në pozitën e parë, ngase më herët gjatë ditës shënoi fitore në shtëpi kundër Drenicës. Mesfushori Giovanni Ribeiro e realizoi golin e fitores për skuadrën suharekase në minutën e 78-të. Ballkani dhe Drita kanë nga 39 pikë, ndërsa Prishtina i ndjek nga afër me 37 pikë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









