Dy ditë pas vrasjes së bashkëshortëve Aleko dhe Afërdita Kosta, zbardhen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë, e cila tronditi jo vetëm banorët e qytetit të Gjirokastrës, por të gjithë opinionin publik.
Mësohet se gjithçka ndodhi për 2 metra tokë (truall), të cilën nëna e muzikantit 66-vjeçar ia kishte dhuruar para se të vdiste, nipit të burrit të saj, Apostolit për të zgjeruar ambientin para shtëpisë së tij, pasi e kishte të vogël.
Apostoli ka ndërtuar murin rrethues, por pas kthimit nga emigracioni, Aleko i ka kërkuar djalit të xhaxhait të tij që ta prishte murin rrethues mes dy banesave të tyre, pasi i kishte hyrë në pjesën që ai e kishte me tapi. Por, kushëriri i viktimës ka refuzuar, duke i kujtuar se atë pjesë toke ia kishte dhuruar me gojë nëna e tij (Alekos). Ndërkaq, Aleko i ka kërkuar 73-vjeçarit që të zbatonte vendimin e Gjykatës së Gjirokastrës, e cila i kishte dhënë të drejtën e pronësisë, pasi ngjitur me murin kishte ngritur një barakë që do e rikonstruktonte dhe do e kthente në kuzhinë.
Kaq është dashur që të nisë konflikti mes dy kushërinjve të parë, për të degjeneruar mëngjesin e së mërkurës në tragjedi. Plot 17 herë ka qëlluar autori i krimit mbi çiftin Kosta, duke i lënë të vdekur në vend. Dy viktimat u përcollën mesditën e djeshme në banesën e fundit. Ndërkaq, policia e Gjirokastrës ka rindërtuar skemën e vrasjes, e cila pohohet të ketë ndodhur në pak minuta.
SKEMA E VRASJES
Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bënë dje me dije se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:25 të së mërkurës në vendin e quajtur “Sokaku i të Marrëve”, në lagjen ‘Palorto’. Sipas hetuesve të çështjes, dyshohet se Apostol Kosta kishte hyrë në oborrin e banesës së çiftit me një granatë dhe një armë në dorë. Pasi ka hedhur granatën, e cila për fat nuk ka shpërthyer, i moshuari është futur brenda, ku ka hapur zjarr ndaj gruas së kushëririt të tij, e cila në ato momente ndodhej në aneksin e kuzhinës në katin e parë. Më pas, ai është ngjitur për në katin e dytë të banesës ku është përballur me kushëririn e tij, ndaj të cilit ka shkrehur armën. Në banesën e krimit gjendej edhe djali 19-vjeçar nga martesa e parë e Afërdita Kostës, i cili është ngritur i alarmuar nga zhurmat dhe është fshehur.
Vetëm pak minuta më vonë, ai ka dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur, ndërsa është përballur me një skena makrabre, ku ka parë të lyer në gjak njerkun dhe nënën e tij. Ndërkohë, në kushtet e tronditjes së rëndë, autori i dyshuar ka shkuar në shtëpinë e tij dhe me armën e krimit ka qëlluar veten me plumb në nofull, duke u plagosur. 73-vjeçari Apostol Kosta ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. Po të njëjtat burime sqaruan se në banesën ku ndodhi krimi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale granata e dorës, e pashpërthyer, (për shkak të mungesës së ndezësit), si dhe 17 gëzhoja arme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
BANORËT
Vrasja për motive pronësie të 49-vjeçares Afërdita Kosta dhe burrit të saj Aleko Kosta ka shokuar banorët e qytetit muze. I afërmi i viktimave, Et’hem Beja tregoi dje për “GSH” mbi konfliktet e vazhdueshme që kishin dy familjet vetëm për 2 metra tokë. Sipas tij, çifti Kosta i kishte kërkuar autorit të krimit, Apostol Kosta që të shembte murin që e kishte ndërtuar sipas tyre në tokën që i takonte Aleko Kostës. “Kishin probleme, por besonin se do i zgjidhnin. Situata nuk dukej shqetësuese dhe ne as që e mendonim se do të ndodhte ajo që ndodhi. Fillimisht çifti kishte debatuar me Apostolin, pasi ata i kishin kërkuar që ai të prishte murrin rrethues.
Apostoli tha se nuk do e prishte murin rrethues, ndërkohë Aleko i kërkoi të zbatohet vendimi i gjykatës. Për 2 metra tokë u vranë”, tha i afërmi i viktimave. Gjithashtu, Beja u shpreh se, “kur ishte gjallë nëna e Alekos, i kishte dhuruar Apostolit 2 metra tokë që edhe ai të zgjeronte pak shtëpinë, pasi e kishte të vogël. Por pasi vdiq nëna, Aleko i ka kërkuar Apostolit që të shembë murin rrethues”.
Një fqinje e viktimave u shpreh se, “Apostoli vuan nga zemra dhe ishte shumë rëndë. Nuk besoj se e ka bërë ai këtë krim”. E moshuara (nuk deshi të identifikohej) pohoi se Apostol Kosta vuante nga zemra dhe nuk ishte mirë fizikisht, për të kryer këtë akt kaq të rëndë që ka si motiv konfliktin e pronësisë. Ajo hedh dyshime që krimin mund ta ketë kryer dikush tjetër. Ndërkohë, një tjetër fqinje pohoi se mëngjesin e së mërkurës, Apostoli kishte shkruar në banesën e çiftit dhe kishte debatuar me ta. “Unë dëgjova që ata po bënin debat që në mëngjes. Apostoli u tha: ‘Jo vendim gjyqësor të keni ju, por unë murin nuk e prish’. Kurse ata i thanë: ‘S’ke punë me ne’. Më pas Apostoli shkoi në shtëpi, mori armën dhe u gjuajti”, rrëfehu fqinja.