Me lule e fotografi të Arielës në duar, studentët e Fakultetit të Jurikut kanë zhvilluar një marshim-homazh në përkujtim të studentes 21-vjeçares, e cila mesditën e të dielës u qëllua për vdekje nga shoku i saj Aldison Belulaj. Nga Fakulteti i Drejtësisë, studentët kanë përshkuar në këmbë deri në vendin ku u vra Ariela, përballë Universitetit të Mjekësisë.
21-vjeçarja Ariela Murati ishte studente e vitit të tretë te Fakulteti i Drejtësisë. Ndërkohë mediat kanë zbardhur detaje nga krimi monstruoz. Raportohet se Aldison Belulaj dhe Ariela Murati ishin çift deri para pak kohësh, por ishin ndarë.
Aldisoni nuk e ka duruar ndarjen dhe ka tentuar disa herë të lidhet në telefon me vajzën, duke e ngacmuar. Pasi ka ndërruar numrin e telefonit, Aldisoni tentoi që ta gjente atë pranë familjarëve të Arielës. Këta të fundit kanë pranuar lajmin e përhapur në media se Aldisoni kishte kërcënuar se do e vriste Arielën.
Ditën e krimit të rëndë, Aldisoni i ka dalë përpara Arielës, ndërsa ajo shoqërohej nga e motra dhe një kushërirë. Këto të fundit nuk e kanë dëgjuar bisedën mes tyre, pasi janë distancuar. Raportohet se studentja 21-vjeçare ka bërtitur: Mos më vrit. Ajo i është ulur në gjunjë autorit dhe është përpjekur ta qetësojë. Por nuk ia ka dalë dot…









