Ndonëse gjyqtari Rasim Doda u shpall fajtor në shkallë të parë për veprën penale të korrupsionit, gjykatat dhe prokuroria janë përfshirë në një vorbull debatesh mbi shumën e parave- duke e kthyer dosjen e tij për rigjykim.
Rasim Doda ishte ndër të paktët gjyqtarë të dënuar për korrupsion në Shqipëri deri në fund të majit 2017, kur Apeli i Krimeve të Rënda vendosi të rrëzojë vendimin kundër tij dhe ta kthejë çështjen për rigjykim.
Vendimi i marrë nga kolegji penal i Gjykatës së Apelit më 31 maj 2017-një kopje e të cilit disponohet nga BIRN, argumenton se gjyqtari Doda u shpall fajtor “në shkelje të dispozitave për paraqitjen e akuzave të reja”.
Apeli kritikon gjithashtu gjykatën e shkallës së parë se nuk respektoi të drejtat e të pandehurit për të kërkuar një afat për mbrojtjen e tij, në kushtet kur “fakti penal rezultoi ndryshe nga ç’ishte parashikuar në kërkesën për gjykim të Prokurorisë”.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se ndonëse konsumimi i akuzës së “korrupsionit pasiv…” nga ana e gjyqtarit Doda nuk vihet në dyshim në asnjërin prej vendimeve gjyqësore, çështja vazhdon të qëndrojë prej më shumë se dy vitesh e hapur rreth faktit nëse ai ka kërkuar 1 milion lekë të reja apo 80 mijë euro rryshfet.
Procedimi penal kundër Dodës u regjistrua më 21 prill 2015 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas kallëzimit të bërë kundër tij nga sipërmarrësi Hasan Bushi-palë ndërgjyqësuese në një konflikt civil për ndërtimin e dy pallateve në zonën e kanalit të Çukës në Sarandë.
Në kallëzimin e tij, Hasan Bushi pretendoi se ishte takuar me gjyqtarin më 19 prill 2015 dhe ai i kishte kërkuar 80 mijë euro ryshfet- ose në të kundërt do të vendoste kundër tij. Sipas kallëzimit, Bushi u përgjigj me gjeste se nuk mund ta përballonte këtë shumë dhe një ditë më pas e humbi gjyqin.
Prokuroria e Krimeve të Rënda siguroi një prova materiale dhe përgjime telefonike për të mbështetur denoncimin e Bushit dhe më 24 tetor 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli fajtor gjyqtarin dhe e dënoi atë me 4 vjet e 6 muaj burg për veprën penale të korrupsionit.
Por pavarësisht dënimit në shkallë të parë, çështja gjyqësore kundër gjyqtarit u shoqërua me apelim të dyfishtë nga Doda dhe Prokuroria si dhe një rekurs në Gjykatë të Lartë.
Ndërkohë që gjyqtari ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, në qendër të kundërshtive mes Prokurorisë dhe dy gjykatave qëndron pranimi me rezerva i dëshmisë së Hasan Bushit në vendimin e shkallës së parë.
Gjykata e Krimeve të Rënda argumenton në vendimin e saj se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u vërtetua pretendimi se gjyqtari kishte kërkuar 80 mijë euro rryshfet.
“Por rezultoi e provuar një marrëveshje e mëparshme mes gjyqtarit, kallëzuesit dhe avokatit të tij për 1 milion lekë ryshfet në këmbim të një vendimi në favor të kallëzuesit,” shkruhet në vendim.
Ndryshe nga shkalla e parë, Apeli i Krimeve të Rënda nuk i hyn në themel çështjes së ryshfetit, por e vë theksin tek shkeljet proceduariale.
“I pandehuri dhe mbrojtësi i tij janë mbrojtur gjatë gjithë gjykimit… për rrethanat e faktit të pretenduara nga prokuroria mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Hasan Bushi,” argumenton Apeli, duke theksuar se kryesuesi i seancës duhej t’i kishte lënë atij afat për t’u mbrojtur për faktin e ri të 1 milion lekëve rryshfet.
Avokati i Dodës, Vladimir Meçi i tha BIRN në një bisedë telefonike në çdo rast, mbrojtja kërkon pushimin e dosjes dhe pafajësinë e gjyqtarit, edhe nëse çështja do të shkojë për rigjykim.
“Në gjykimin tim, çështja e Rasim Dodës duhet të zgjidhej me pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të tij. Kemi një rast që një person, akuzohet për korrupsion por nga ana e akuzës nuk është sekuestruar asnjë kartmonedhë,” tha Meçi për BIRN.
Rezervat e vendimit të dënimit
Përgjatë dy viteve të procesit kundër tij, gjyqtari Rasim Doda ka qëndruar 3 javë në qeli në qershor 2015 dhe më pas e ka ndjekur procesin në arrest shtëpie dhe në gjendje të lirë. Ai është pezulluar gjithashtu nga detyra me një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në dhënien e një vendimi të formës së prerë nga drejtësia.
Si në procesin e zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda ashtu edhe në Apel, Doda ka hedhur poshtë si të pavërteta pretendimet e Hasan Bushit dhe është mbrojtur me akuzën se “ndaj tij ishte përgatitur një komplot”.
Megjithatë, provat në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda shkojnë përkundër këtij pretendimi.
Bashkë me dëshminë e tij gojore, sipërmarrësi Hasan Bushi i dorëzoi prokurorisë një dispozitiv vendimi, për të cilin pretendon se “Doda ia kishte lënë në dorë pas takimit të 19 prillit 2015”.
Ekspertët e Prokurorisë mundën ta rikuperonin këtë dokument nga kompjuteri i Dodës, ndërsa në gjyq u argumentua se gjyqtari i Sarandës kishte dy vendime në kompjuterin e tij; njërin pro dhe tjetrin kundër Hasan Bushit.
Ndërkohë, një bisedë telefonike mes Rasim Dodës dhe avokatit të Bushit, Flamur Lazaj të cilën BIRN e ka siguruar, hedh hije dyshimi se gjyqtari ishte në diskutime për përfitimin e 1 milion lekëve të reja.
“…Ai nuk mund të tallet me mua, se unë nuk do t’i jap atij 2 milionë euro si do ai në kurriz të popullit kundrejt 10 milion lekëshit…,” dëgjohet t’i thotë Doda avokatit të Bushit.
Në vendimin e 24 tetorit 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda theksoi se pretendimet e kallëzuesit Hasan Bushi dhe ato të prokurorisë për “takimin e datës 19 prill dhe kërkesën për 80 mijë euro rryshfet nuk mbështeten në prova të plota”.
Sipas gjykatës, Bushi kishte interes në dhënien e disa fakteve perceptuese pasi kërkonte të shmangte përgjegjësinë penale ndaj tij. Për këtë arsye, Gjykata e ka vlerësuar të besueshme vetëm faktet që lidhen me prova të tjera.
Gjykata e Krimeve të Rënda doli në përfundimin se i pandehuri kishte kërkuar 1 milion lekë të reja në një marrëveshje të mëparshme midis gjyqtarit nga njëra anë dhe kallëzuesit dhe avokatit të tij mbrojtës në anën tjetër.
“Më pas, kjo marrëveshje është prishur dhe shtetasi Hasan Bushi, duke qenë i shqetësuar për këtë fakt ka shkuar në zyrën e avokatit Flamur Lazaj, të cilit i ka marrë numrin e telefonit të të pandehurit dhe i ka dërguar mesazhet telefonike të përmendura më sipër,” thuhet në vendim.
Sipas dosjes hetimore që BIRN e disponon, Bushi i kërkonte Dodës që të mos e merrte më qafë në njërin prej mesazheve telefonike.
“Mos më merr në qafë kot, çdo muhabet e ke bërë me avokatin. Bashkë komunikojmë dhe mirë është të mbetemi miq,” shkruhej në njërin prej tyre.
Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda u sfidua në Apel si nga Doda, ashtu edhe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjyqtari dhe avokatët e tij kërkuan sërish pafajësi. Ndërsa Prokuroria pretendoi se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar drejt dëshminë e Hasan Bushit dhe se nuk kishte bërë një analizë të plotë të kësaj dëshmie në raport me provat e tjera të administruara gjatë gjykimit.
“Gjykata ka pranuar të provuar faktin se i pandehuri Rasim Doda ka kërkuar 1 milion lekë nga shtetasi Hasan Bushi përmes avokatit të tij…megjithëse e konsideron të kryer veprën penale nga i pandehuri që me kryerjen e kësaj marrëveshjeje, megjithëse ka pranuar faktin se marrëveshja është prishur, nuk ka bërë një analizë më të plotë të shkaqeve për të cilat është prishur kjo marrëveshje,” thuhet në ankesën e Prokurorisë.
“Fakti është se marrëveshja është prishur mbrëmjen e datës 19 prill 2015, pikërisht për arsyen se i pandehuri Doda ka kërkuar të përfitojë një pagesë më të lartë se shuma 1 milion lekë, pagesë të cilën shtetasi Hasan Bushi nuk ka pasur mundësinë ta përballojë,” argumenton Prokuroria.
Përplasja për procedurën
Përballë kërkesës për pafajësi nga Rasim Doda dhe kërkesës për marrjen pa rezerva të dëshmisë së Hasan Bushit nga Prokuroria, Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda zgjodhi të vendoste kthimin e çështjes për rigjykim, sërish në shkallë të parë.
Në vendimin e saj, Apeli merret gjatë me konkluzionin e faktit të ndryshëm mes kërkesës së prokurorisë-që pretendon takimin e 19 prillit dhe kërkimin e 80 mijë eurove nga gjyqtari dhe shkallës së parë, që gjen të vërtetuar vetëm marrëveshjen e përfitimit të 1 milion lekëve.
Apeli i referohet gjithashtu shkeljes së dy neneve të Kodit të Procedurës Penale për prishjen e vendimit të mëparshëm; nenit 376 dhe nenit 372 të Kodit të Procedurës Penale.
“Nga ana e gjykatës nuk janë respektuar të drejtat e të pandehurit për të kërkuar një afat për mbrojtjen e tij, në kushtet kur sipas nenit 372, fakti penal ka rezultuar ndryshe nga ç’është parashikuar në kërkesën për gjykim,” shkruhet në vendimin e Apelit.
Neni 372 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se “kur gjatë shqyrtimit gjyqësor fakt del ndryshe nga ç’është parashikuar në kërkesën për gjykim…prokurori ndryshon akuzën dhe procedon me akuzën përkatëse”.
Ndërsa neni 376 i përmendur në vendimin e Apelit për Rasim Dodën parashikon që” Në rastet e parashikuara nga nenet 372, 373 dhe 374, kryetari i bën të ditur të pandehurit se mund të kërkojë një afat për mbrojtjen”.
Por Prokuroria, në rekursin e dorëzuar në Gjykatën e Lartë pretendon se Gjykata e Apelit ka bërë arsyetim të gabuar dhe se sipas saj, referimi i saktë do të ishte neni 375 i Kodit të Procedurës Penale.
“Neni 372 i Kodit të Procedurës Penale parashikon rastet kur prokurori ndryshon akuzën gjatë gjykimit të çështjes, kur fakti penal del ndryshe nga ai i paraqitur në kërkesën për gjykim,” thuhet në rekursin e prokurorisë.
“Në fakt, për prokurorin fakti penal ka qenë i njëjtë me atë të paraqitur në kërkesën për gjykim…pikërisht për t’i qëndruar atij fakti, ka paraqitur edhe apel,” shtohet më tej.
Prokuroria pretendon se në rastin e Rasim Dodës është zbatuar procedura ku në vendimin përfundimtar, gjykata i ka dhënë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori.
“Theksojmë se në këtë rast nuk është bërë as akuzë e re dhe as ndryshim i akuzës, por në lidhje me faktin penal nga ana e gjykatës është konsideruar i provuar se i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit jo 80 mijë euro, por një milion lekë,” thuhet në rekursin e Prokurorisë.
“Pra rezulton se nuk kemi të bëjmë me asnjë shkelje proceduriale gjatë gjykimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda, “përfundon Prokuroria. /Birn/