Dinamo e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë fazë të kampionatit. Dy fitoret ndaj Skënderbeut dhe Elbasanit u pasuan nga suksesi në derbi ndaj Partizanit, duke i dhënë bluve tri fitore radhazi në kampionat.
Një seri që mungonte prej shumë vitesh dhe që tashmë i jep një tjetër kuptim momentit pozitiv që po kalon skuadra. Me fitoren ndaj Partizanit, Dinamo arrin tri fitore radhazi në Superiore, diçka që nuk e kishte realizuar që prej sezonit 2009/2010, kur blutë fitonin titullin e fundit kampion. Pas 16 vitesh, Dinamo rikthen kështu një seri që për një kohë të gjatë kishte munguar në kampionat.
NGA MUNGESA E VAZHDIMËSISË TE TRI FITORE RADHAZI
Dy fitoret e fundit kishin rikthyer Dinamon në një moment pozitiv dhe tashmë skuadra e konkretizoi këtë ecuri me suksesin e tretë radhazi. Gjatë dy sezoneve të fundit, problemi i Dinamos nuk ka qenë mungesa e fitoreve, por pikërisht mungesa e vazhdimësisë.
Sezonin e kaluar, blutë nuk arritën asnjëherë të fitonin tri ndeshje radhazi në kampionat, pavarësisht se në disa raste ishin shumë pranë një ecurie të tillë. Rasti më i afërt ishte në periudhën e fundit të shtatorit, kur Dinamo mposhti Tiranën më 27 shtator dhe një javë më vonë fitoi edhe ndaj Flamurtarit. Në ndeshjen pasuese, barazimi ndaj Egnatias ndërpreu serinë dhe nuk lejoi që skuadra të arrinte tri fitore radhazi.
Dinamo fitoi më pas edhe dy takime të tjera, duke regjistruar katër fitore në pesë ndeshje, por pa mundur t’i marrë ato radhazi. Në fakt, gjatë sezonit të kaluar blutë arritën të ndërtonin edhe një seri prej katër fitoresh, por kjo ecuri përfshinte ndeshje në kampionat, Kupë dhe Superkupë.
Kur bëhet fjalë vetëm për kampionatin, tri fitore radhazi nuk u arritën. Këtë herë historia është ndryshe. Skënderbeu, Elbasani dhe Partizani janë tashmë tre kundërshtarët që Dinamo ka mposhtur radhazi në Superiore, duke thyer një statistikë që zgjaste prej sezonit 2009/2010.
JO TË VETMIT
Megjithatë, përtej statistikës dhe faktit se kjo seri mungonte prej 16 vitesh, tri fitore radhazi nuk mund të konsiderohen si diçka e jashtëzakonshme në kampionatin shqiptar. Më shumë sesa meritë ekskluzive e Dinamos së tanishme, kjo statistikë tregon edhe dobësinë e skuadrës në sezonet e kaluara, kur mungoi vazhdimësia në rezultate.
Në këtë kampionat, tri fitore radhazi i kanë arritur edhe Teuta dhe Egnatia, ndaj Dinamo nuk është e vetme në këtë aspekt. Vlera e kësaj serie qëndron kryesisht në raport me vetveten: pas disa sezonesh ku blutë nuk kishin mundur të ndërtonin një vazhdimësi të tillë, rikthimi te tri fitoret radhazi është padyshim një hap përpara. Dhe në këtë kontekst, trepikëshi i lënë ndaj Vorës mbetet edhe më i dhimbshëm.
Me laps e letër, Egnatia dhe Teuta arritën të merrnin tri pikët ndaj Vorës, ndërsa Dinamo i la pikët në atë përballje. Në një kampionat ku diferencat janë të vogla dhe ku çdo pikë mund të ketë peshë të madhe në fund, raste të tilla mund të rezultojnë vendimtare. Dinamo tashmë e ka marrë serinë që i mungonte prej vitesh.
Tri fitore radhazi janë në llogarinë e bluve, por sfida e vërtetë nis tani: ta kthejnë këtë moment në vazhdimësi dhe të mos ndalen këtu. Vetëm punë dhe përqendrim deri në fund, sepse vetë formula e kampionatit bën që edhe një pikë e vetme të mund të përcaktojë fituesin e kampionatit në fund.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









