Pas sulmit të paprecedentë tri ditë më parë ndaj punonjësve të policisë dhe Komisariatit numër 3, policia ka vënë në pranga disa persona, mes tyre edhe nje i ri nga Gjirokastra.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3, për identifikimin dhe kapjen e personave që sulmuan punonjësit e Policisë dhe godinën e Komisariatit të Policisë Nr. 3 me lëndë piroteknike, gurë e bomba molotov, duke shkaktuar zjarr dhe dëmtime në godinën e Komisariatit, si dhe duke dëmtuar 10 punonjës policie, u identifikua dhe u ndalua shtetasi E.K., 33 vjeç, banues ne Gjirokaster, i cili dyshohet se gjatë tubimit, tri ditë më parë, ka dëmtuar me sende të forta ambientet e këtij komisariati.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë të rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta“, njofton policia.









