Një punonjës i Gardës së Republikës i identifikuar si Arjol Mançe, 30-vjeç me origjinë nga Përmeti dhe banues në Tiranë, ka vrarë veten me armën e shërbimit brenda në ambientet e Gardës së Republikës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:00. Mësohet se Gardisti ka qenë në kushte të rënduara psikologjike në momentin kur ka kryer aktin e vetëflijimit. Report Tv ka mësuar se gardisti pak sekonda përpara se t’i jepte fund jetës, ka lënë një shënim në librin e shërbimeve të Gardës së Republikës, duke paralajmëruar fatin tragjik.
“Do vras veten. Do iki nga kjo botë”, ishte shënimi i Arjon Mançe në librin e shënimeve të Gardës
Para se t’i jepte fund jetës, Mançe i ka dërguar edhe një sms babait të tij. I ati ka tentuar ta telefonojë pasi mori SMS-në, por Mançe nuk i është përgjigjur.
Ndërkohë, gjithashtu burime pranë Gardës së Republikës bënë të ditur se gardisti 30-vjeçar ka qenë me shërbim me trupat komando në Afganistan dhe Irak, në kuadër të misionit të NATO-s për paqen dhe sigurinë në vendin e trazuar nga talebanët, ndërsa ishte kthyer në Shqipëri disa kohë më parë. Dyshohet që trauma e pësuar gjatë kësaj kohe, siç ndodh me shumë ushtarë të ketë lënë pasoja edhe tek Mançe. Por dyshohet gjithashtu se ai po kalonte një periudhë të keqe pas ndarjes nga një lidhje e gjatë dashurie.
Në 30 qershor të këtij viti ishte gardisti Shkëlzen Qordja, 31-vjeç, me detyrë shofer i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili qëlloi veten me armën e shërbimit në ambientet e Gardës së Republikës dhe për rrjedhojë humbi jetën.