Emri i këngëtarit të njohur shqiptar Ylli Baka përmendej nga Moisi Habilaj dhe anëtarët e tij të bandës së drogës, ku thuhej se edhe ai, pra Baka, është përdorues i lëndëve narkotike. Nga përgjimet dhe biseda mes tyre ata flasin për kokainë, pasi përmendin kartë, që shërben për të bërë gati kokainën para se të konsumohet.
Përgjimi i përket periudhës së janarit 2014. Nisur nga ky fakt, vetë këngëtari Ylli Baka, ka reaguar për Newsbomb duke thënë se ka njohje me Habilajt, pasi ata janë adhurues të muzikës së tij dhe e kanë ftuar vazhdimisht për të kënduar nëpër gëzime të tyre familjare.
“I kam fansa, kanë qenë kudo nëpër koncerte. Kam qenë në dasmën e vëllait të vogël të Habilajve, kjo është lidhja e vetme. E pëlqejnë muzikën time. Më kanë thirrur nëpër festa, gëzime familjare. Unë kam shkuar siç shkoj kudo”, shprehet Baka paksa i surprizuar që emri i tij gjendet në dosjen e italianëve.
Moisi Habilaj u arrestua dy ditë më parë në Itali dhe konsiderohet kreu i bandës së trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali ndërsa nga përgjimet që i janë bërë, ai përmend edhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, me të cilin është kushëri i largët.









