Partia Demokratike e ka bërë edhe me qesharake, betejën e saj për mos njohjen e zgjedhjeve të 25 prillit.
Ndërsa në fillim fliste se janë blerë votat për 8-9 mandate deputetësh, tani thotë se janë blerë votat në plot 9 qarqe të vendit.
Ndaj dhe kërkon që në këto qarqe, zgjedhjet të përsëriten.
Interesant është fakti se PD thotë se zgjedhjet janë blerë vetëm në qarqet ku ajo ka humbur dhe zgjedhjet paskan qenë të rregullta vetëm në 3 qarqet ku ajo ka fituar, në Kukës, Shkodër e Lezhës.
Ironia është se në Shkodër, ka fituar edhe Tom Doshi, që nga PD akuzohet se ka blerë votat.
Por duke qenë se në Shkodër PD ka fituar, aty Doshi del si i “ndershëm”.
Tom Doshin e përmend vetën në Tiranë, si njeri që ka blerë votat, pasi aty i prish punë, pasi ka marrë dy mandate.
Gjatë numërimit të votave, pati kritika të shumta për KQZ-në, pasi ngjyrosi hartën e Shqipërisë me ngjyrën e partive, dhe dukej keq, pasi jugu ishte rozë, për shkak se fitoi PS-ja, ndërsa veriu blu, pasi kishte fituar PD-ja.
Një kritikë e tepërt në fakt, pasi shumicën e votave dhe mandateve PD i mori në jug dhe Shqipërinë e mesme.
Por, me pretendimet e saj, duket se vetë PD tashmë po i fryn kësaj fryme, duke pretenduar se me përjashtim të Qarkut të Kukësit, Shkodrës e Lezhës, gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë është shitur e blerë.
Me logjikën e tyre, kush nuk ka votuar për PD-në e LSI-në, është i shitur tek Rama.
Ndërsa ata që kanë votuar për PD-në e LSI-në, janë njerëz të ndershëm.
Epo vështirë të shiten e blihen nja 800 mijë njerëz që kanë votuar për PS-në.
Madje, nëse vazhdojnë me këto akuza banale, ka gjasa që në zgjedhjet e ardhshme, ky numër të rritet.