Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, foli të premten pas disa kohësh, për çështjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Lu ishte i ftuar në një konferencë të shoqërisë civile. Një ditë pas Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Donald Lu vlerësoi gazetarët dhe punën e tyre.
“Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Elvis Roshir, Mark Frroku, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve, këta nuk janë më në kuvend apo bashki. Shoqëria civile duhet të jetë krenare për gjithë këto gjëra dhe shumë të tjera. Po nuk duhet të bëheni dembelë, ka ende shumë për të bërë”, tha ai.
“Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llallës. Askush nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin që zoti Tahiri do përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet. Urdhër-arresti janë lëshuar për Klement Balilin dhe Arbër Çekajn, po ata duhet të kapen. Kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Roshi po ndiqen penalisht”, tha Lu.
“Nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që më në fund të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve, atëherë Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të ndritur”, apeloi ai.









