Ditët e fundit, ndërkombëtarët kanë shtuar presionin ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ta detyruar t’i japë fund bojkotit dhe të hyjë në zgjedhje. Pas vizitës së eurodeputetit David Mc Allister, PD po humb ditë pas dite mbështetjen e të huajve për bojkotin, të cilët kanë ashpërsuar tonet për t’i dhënë fund atij. Këtij qëndrimi iu shtuan një ditë më parë dhe disa zëra të fuqishëm të Partisë Demokratike.
Disa nga figurat kryesore në Partinë Demokratike thyen heshtjen, duke pranuar publikisht rrugën e gabuar të kryetarit Lulzim Basha për të mos hyrë në zgjedhje. Ishin Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe Eduard Selami, që folën hapur dhe bënë thirrje që PD të hyjë në zgjedhje. Këto zëra të fuqishëm të PD, nuk janë të vetmit që kritikojnë ashpër sjelljen e Bashës, që po rrezikon vërtet opozitën, por reagime të tilla mësohet të ketë dhe nga ndërkombëtarët.
Një reagim mjaft i ashpër ka ardhur nga të djathtët evropiane. Këta të fundit po ushtrojnë presion ndaj kreut të demokratëve, Lulzim Basha, që të thyejë bojkotin, duke e quajtur këtë një rrugë pa krye. Ndërkombëtarët janë kundër bojkotit të Bashës, ndonëse mbështesin kauzën e tij për zgjedhje të lira e të ndershme.
Data e zgjedhjeve mund të shtyhet në fund të muajit korrik dhe opozita me shumë gjasa do jetë pjesë e procesit zgjedhor. Një ditë më parë, në një studio televizive, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Gert Bogdani, ka dhënë sinjalin e parë të futjes së opozitës në zgjedhje. Bogdani tha se PD do të marrë pjesë në zgjedhje, nëse shtyhen qoftë më 16 korrik ose më vonë.
Kjo situatë e re duket se po lëkund pozitat dhe qëndresën e fortë të shfaqur deri më tani nga Lulzim Basha, duke bërë që ky i fundit dhe PD të ndjejnë mungesën e mbështetjes në rrugën e bojkotit. Tashmë, pritet që Basha të marrë kthesën dhe të ndalojë bojkotin, duke i hapur rrugë opozitës të përfshihet në jetën politike, si dhe në zgjedhjet parlamentare. Zhvillime të reja do të ndodhin ditët në vijim, kur çadra e opozitës pritet t’i dorëzohet “furtunës” së ndërkombëtarëve.