Prokuroria e Përgjithshme ka konkluduar, kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi dhe Kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, në bazë të ligjit per “Verifikimin e Integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” ose te njohur ndryshe si Ligji i “Për Dekriminalizimin”.
Sektori i “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme ka konstatuar se subjektit Tërmet Peçi i duhet ndërprerë mandati i kryetarit të Bashkisë, pasi rezulton se:
-Subjekti deklarues Tërmet Peçi, referuar ligjit nr 138/2015, ka dorëzuar një formular vetëdeklarimi të dorëzuar në datë 21.04.2016, të plotësuar në datë 10.04.2016, pra, brenda afatit ligjor të përcaktuar në vendimin nr. 17/2016, të Kuvendit të Shqipërisë.
Më pas në datë 10.06.2016 subjekti ka dorëzuar dhe një formular vetëdeklarimi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar ta administrojë, në shkelje të afateve ligjore.
Sektori i Verifikimit të Integritetit ka verifikuar vetëm të dhënat e formularit të datës 10.04.2016, pasi sipas ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, ky formular është i vetmi formular që është plotësuar duke respektuar afatet ligjore. Çdo formular tjetër apo materiale të tjera, nuk mund t’i nënshtrohen verifikimit pasi bien në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në formularin e parë të përcjellë për verifikim nga ana e Sektorit është konstatuar se nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me vendime penale përfundimtare apo jo, masa sigurimi, dëbime, apo hetime brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer verifikimet paraprake në zbatim të ligjit 138/2015 dhe vendimit 17/2016 të Kuvendit të Republikës pranë Drejtorisë së Burgjeve, dhe informon se ky subjekt është dënuar me vendim të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tepelenë, për veprën penale të “Përdorimit të dokumenteve të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë. Këto të dhëna gjenden të pasqyruara dhe në Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore datë 30.05.2016, përcjellë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe shkresës datë 01.06.2016 të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, me anë të së cilës informohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues, Tërmet Peçi, ka një vendim dënimi.
Sektori i verifikimit të Integritetit në Prokurorinë e Përgjithshme me shkresën nr. 454/2 prot. datë 17.02.2017 dhe nr. 451/4 prot. datë 21.02.2017, i është drejtuar me kërkesë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër. Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve me shkresën nr. 679/1 prot. datë 27.02.2017 na ka vënë në dispozicion Dëshminë e Gjendjes Gjyqësore të subjektit, nr. 11 prot. datë 23.02.2017, ku konfirmon të dhënat se subjekti z. Tërmet Peçi realisht ka një dënim penal të formës së prerë.
Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër ka vënë në dispozicion vendimin penal të formës së prerë, nr. 21, datë 27.04.2004, në emër të z. Tërmet Peçi, i cili është i dënuar për veprën penale të “Përdorimit të dokumentave të falsifikuar”, parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal me 150 000 lekë gjobë.
Subjekti rezulton se nuk e ka deklaruar këtë vendim gjyqësor të formës së prerë, edhe pse ka pasur detyrimin ligjor për ta pasqyruar në pyetjen 1 të formularit të vetëdeklarimit. Ai i është përgjigjur me “Jo”, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj.