Me regji qëndrore nga selia blu, edhe degët e PD-së në qarkun Gjirokastër lëshuan sot një deklaratë në mbrojtje të Lulzim Bashës ndonëse ai humbi zgjedhjet e katërta radhazi si kryetar i opozitës. Por mes rreshtash në atë deklaratë kishte edhe një fjali, që ilustron në fakt dramën e vërtetë të Partisë Demokratike në Gjirokastër. Nuk dinë të shpjegojnë e as të mbajnë përgjegjësi për humbjen e radhës dhe marrjen e një mandati, por gëzohen se Partia Socialiste është ulur në këto zgjedhje me 3 mijë vota.
“E megjithate tek PD besuan nje numer i madh votuesish ne krahasim me zgjedhjet e 2017, ndersa Rilindja pati renie me 3 mije vota”, shkruhet në deklaratën e PD-së. Sigurisht që rënia e PS-së në vota është fakt dhe kjo vjen për shkak të numrit të ulët të votuesve, pengimit të emigrantëve për shkak të pandemisë dhe largimit të popullsisë, si dhe numrit të lartë të votave të pavlefshme.
Por të sjellësh si argument këtë element për të justifikuar humbjen tënde është vërtet dëshpërim i madh. PD në Gjirokastër dhe mbarë vendin duhet rithemeluar, duhet ringritur nga fillimi përmes garës së ndershme dhe hapjes ndaj shoqërisë. PD-ja nuk mund të ringrihet më me Lulin, Tritanin, Dashorat dhe Beqorat që përgjojnë pas derës. Këta të gjithë bashkë e kanë humbur mundësinë për ta ringritur PD-në. Nuk meritojnë më asnjë shans tjetër. ©argjiroja.net