Kombëtarja shqiptare nis nga e hëna përgatitjet për rrugëtimin e ri në UEFA Nations League, përballe Bjellorusisë, Finlandës e San Marinos. Në kuadër të këtij kompeticioni, që ndryshe nga herët e tjera do të luhen 4 ndeshje nga 26 shtatori deri më 6 tetor, trajneri i kuqezinjve Rolando Maran ka publikuar sot edhe listën me 29 lojtarë të grumbulluar.
Pak përpara konferencës zyrtare për media paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, trajneri italian shpalli listën dhe më pas doli në konferencë ku iu përgjigj interesit të gazetarëve. Nga mungesat, te rikthimi i Etrit Berishës dhe risitë në listën kuqezi, trajneri Maran vendosi theksin tek objektivi i skuadrës në këtë Nations League, që ësshtë vendi i parë në grup.
Më poshtë konferenca e plotë e trajnerit Rolando Maran për mediat:
I kushtëzuar nga lojtarë që nuk i keni sot në listë për arsye të ndryshme? – Sigurisht që kushtëzimi në lojtarë mund të ndikojë, tani janë kushte të tjera, të përgjithshme që mund të ndikojnë në bërjen e listës. Listën për ta bërë jam fokusuar nga ajo që kam parë e monitoruar në javët e fundit nga lojtarët.
Mungesa e Brojës dhe Bajramit si dhe rikthimi i Berishës – Berisha ka treguar që ka cilësi të mira si portier dhe duke u ndikuar edhe nga dëmtimi i Strakoshës, kam bërë zgjedhje për të marrë portierët më të mirë dhe në gjendje më të mirë. Sa i përket Brojës dhe Bajramit, kam vlerësuar kushtet e përgjithshme aktualisht. Kombëtarja nuk është një portë që mbyllet, por këto janë zgjedhjet që janë bërë në këtë rast.
Risitë në listë, Samuele Sina dhe Sabah Kerjota – Sa i përket Sabah Kerjotës, e kemi vëzhguar duke nisur nga sezoni i kaluar, kur ka qenë protagonist me ekipin e tij dhe në fakt edhe me klubin pothuajse arritën të fitonin edhe kampionatin. Ka karakteristika që mund ta ndihmojnë skuadrën. Është e vështirë të ndjekësh dhe pak e lodhshme të ndjekësh lojtarë që luajnë në kampionate të ndryshme dhe për këtë arsye kisha dëshirë që disa nga këta lojtarë t’i kisha në këtë grumbullim në mënyrë që t’i vëzhgoja më nga afër. Ndërkohë përsa i përket Samuele Sinës, është një lojtar që është vënë në evidencën kohët e fundit, luan në një kampionat të vështirë. Ka qenë dhe protagonist dhe ka shënuar gol. Në aspektin difensiv mund të kemi mungesa dhe vështirësi. Mbetet për t’u vlerësuar nëse do ketë vazhdimësi me skuadrën tonë apo mund të vazhdojë me U-21.
Pse nuk ka shumë lojtarë nga kampionati shqiptar në listë? – Mund të kishin qenë edhe lojtarë të tjerë të grumbulluar. Në pozicione të caktuara kemi pasur mungesa të lojtarëve. Kam qenë në dyshim deri në minutat e fundit, i kam parë dhe nga afër një pjesë tjetër të lojtarëve, por i kam besuar këtij blloku që ka qenë dhe në ndeshje të tjera. Ka lojtarë interesantë kampionati shqiptar, shpresoj në vijim të kem mundësi që të grumbulloj lojtarë të tjerë.
A duhet të guxojmë duke ftuar lojtarë të rinj në moshë në skuadër? – Unë mendoj se është një reflektim i drejtë dhe që duhet bërë. Kthehem pak te 19 maji, kur presidenti më kërkoi si objektiv fillestar të fitoja grupin në Ligën e Kombeve. Kjo nuk do të thotë që nuk mund të marrim lojtarë si Sina që kanë spikatur, por duhet siguruar menjëherë edhe rezultati. Përmendni shumë lojtarë me karakteristika ofensive, ku kemi shumë lojtarë, mbeten alternativa të rëndësishme. Mua më është dashur të thërras ndonjë lojtar më shumë për shkak të dëmtimeve, por të merrja lojtarë që do kisha vështirësi të aktivizoja do ishte e vështirë. Objektivi është të rris numrin e lojtarëve, kemi një grup më të kufizuar në krahasim me të tjerët që mund të zgjedhin. Por edhe ne kemi lojtarë që mund të zgjidhen e shumë shpejt do t’i shihni. Besimi është dhe ata e dinë, e dinë se sa jam i vëmendshëm edhe ndaj tyre. E kam bërë ndryshe, duke treguar interesimin tim, dua thjesht që të jenë në kushte ideale, por interesin e dinë shumë mirë.
Rikthimi i Etrit Berishës – Me të kam folur qartësisht, në sensin që për mua është një lojtar i skuadrës, sepse për mua, kur një lojtar luan dhe mbron për klubin e tij në kampionat, do të thotë që është një lojtar në gjendje të mirë. Duhen konsideruar të gjithë aspektet. Nuk ka rëndësi nëse është 17 apo 37 vjeç. Unë e vlerësoj mes portierëve më të aftë të Shqipërisë. Nëse do të ishte Strakosha, do të vinte gjithsesi. Do të vinte gjithsesi e do të zgjidhja kush është më mirë. Kam shumë besim te potenciali i tij. Do të kuptoj nëse meriton të luajë më shumë ai apo tjetri. Mendoj se është pjesë e ligjit të sportit dhe është e drejtë kështu.
Gruda, Adri Mehmeti, Arda Kurtulan – Sigurisht, të gjithë e dinë, interesi në mënyrë direkte apo indirekte i është manifestuar. I kam krahët e hapur për të gjithë që duan të bëjnë pjesë në këtë Kombëtare dhe të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi. Tani e tutje dua të flas për lojtarët që janë në këtë listë, sepse ata më interesojnë dhe janë ata që sjellin gëzim dhe fitore. Të gjitha procedurat që duheshin janë bërë. Unë preferoj të flas për lojtarët që janë pjesë e kësaj liste dhe që e duan shumë këtë fanellë.
Golashënuesit? – Shpresoj të kenë ruajtur disa gola dhe për ne, pasi kemi nevojë. Sigurisht që kam besim te kapaciteti i tyre. Nuk ka qenë e lehtë për ta bërë listën. Ka lojtarë të tjerë që kanë cilësi për të qenë pjesë e kësaj liste. Kjo më jep mundësinë të kem sa më shumë lojtarë që mund të jenë protagonistë dhe që mund të japin një kontribut thelbësor edhe në aspektin e shënimit të golave.
Miqësoret e qershorit dhe si do të luajmë në Nations League – Në ndeshjet e qershorit janë bërë gjëra pozitive e negative. Ishte e rëndësishme që të mbërrinim në këto ndeshje me përqendrim dhe një pikëpamje më të mirë. Ndeshjet na kanë dhënë indikacionin, si pozitivisht, edhe negativisht, që duhet ta mendoj e shfrytëzoj. Ideja do të jetë që të punojmë dhe në gjëra të ndryshme, në varësi të lojtarëve që do të hedh në fushë, duke i vendosur në kushtet ideale për të dhënë maksimumin. Janë gjëra që duhet të rishikoj, sepse ka gjëra që nuk janë natyrale për këtë skuadër e që në këto ndeshje do t’i vendosja në zbatim.
Ndeshja me Bjellorusinë dhe Nations League – Unë dua të shoh një Shqipëri që lufton dhe që hyn në fushë për të bërë ndeshjen më të mirë dhe për të qenë më të mirë se kundërshtarët, dhe çdo lojtar të lëshojë çdo pikë djerse që ka për të bërë një ndeshje sa më të mirë.
Reparti i sulmit – Do të jemi të ndërgjegjshëm se cila është forca jonë dhe kemi karakteristika të caktuara, që duhet t’i shfrytëzojmë dhe mos kemi frikë. Nuk jam shumë pragmatist, do të shohim si do zhvillohet skuadra në fushë. Nuk varet vetëm nga sistemi i lojës, por dhe qasja që do ketë skuadra. Për të arritur besimin dhe vlerësimin, duhet paraqitje dhe rezultate shumë të mira. Jemi të bindur që duke shfrytëzuar këto karakteristika, do të bëjmë mirë.
Linja e djathtë e mbrojtjes – Kam zgjedhur këta lojtarë, pasi mendoj se këta janë të duhurit aktualisht. Ndërkohë, ne kemi dhe lojtarë të tjerë, të cilët mund të bëjnë edhe rolin e mbrojtësit të djathtë, si për shembull Sina, i cili, edhe pse është mbrojtës qendre, mund të luajë edhe në anën e djathtë. Duke u bazuar edhe te moduli dhe se si ne do të luajmë, dhe duke marrë parasysh që ne fokusohemi për të krijuar hapësira dhe të jemi më të avancuar në sulm, mendoj se mund të funksionojë. Kemi lojtarë të përshtatshëm edhe për këto pozicione. Po ashtu, edhe lojtari i U21 ishte i dëmtuar, ndaj kam bërë zgjedhje të ndryshme.
Objektivi – Po, objektivi ynë është vendi i parë në grup. Me lojtarët që kemi mund ta bëjmë dhe i kemi të gjitha kartat në dorë për t’ia arritur.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








