Fatmira Nikolli
Sindikata e Pavarur e Artit ne emër të 85 artistëve dhe profesionistëve të Teatrit të Operës, Baletit dhe Ansamblit dhe të Cirkut Kombëtar, kundërshtoi miratimin në formën aktuale të projektligjit “Për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike”, i cili parashikon që disa artistë mund të dalin në pensione të parakohshme që në moshën 47-vjeçare. Duke kërkuar qartazi statusin e artistit, ata thanë, se mungon dialogu social, projektligji nuk është i konsultuar me ta dhe përjashton artistët e skenës së pavarur.
“Ky peticion nuk është vetëm kundërshtimi i një projektligji. Ai është thirrje për një politikë të re kombëtare për artin, për mbrojtjen e profesionit të artistit dhe për ndërtimin e një modeli europian, të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Shqipëria nuk ka nevojë për zgjidhje të pjesshme, të hartuara pa artistët. Ajo ka nevojë për një vizion kombëtar që e njeh artin si interes publik, artistin si profesionist dhe kulturën si një nga shtyllat e zhvillimit shoqëror dhe të identitetit kombëtar”, tha Julian Kazazi, ne emër të sindikatës.
Ai shtoi se qëndrimi i tyre është i qartë: nuk pranojmë, miratimin e asnjë skeme të veçuar të trajtimit financiar, pa u hartuar dhe miratuar më parë statusi i artistit.
“Brenda Statusit të Artistit duhet të rregullohen në mënyrë të plotë njohja ligjore e profesionit të artistit, pensioni dhe trajtimi i diferencuar sipas vështirësisë së profesionit, pagat, vjetërsia dhe klasifikimi profesional, shëndeti dhe siguria në punë, mbrojtja sociale edhe për artistët e pavarur, kalimi në funksione pedagogjike, krijuese, koreografike, trajnuese ose administrative, rikualifikimi dhe tranzicioni i karrierës, kontratat kolektive dhe liria sindikale, mbështetja për krijimtarinë dhe punësimin e artistëve të rinj dhe trajtimi financiar dinjitoz, vullnetar dhe i qëndrueshëm”, tha Kazazi.
Artistët e Operas, Armando Likaj dhe Eva Golemi thanë se ata nuk kishin informacion për projektligjin dhe e morën vesh nga mediat e rrjetet sociale. Ndërkaq, sindikata theksoi se projektligji përjashton kategori artistësh që punojnë ose kanë punuar në institucionet publike gjithashtu lë jashtë artistët që e kanë zhvilluar karrierën e tyre jashtë këtyre institucioneve.
“Kjo ndarje krijon pabarazi dhe i jep projektligjit karakter diskriminues. Profesioni i artistit nuk përcaktohet vetëm nga institucioni ku ai është punësuar.”
Sipas tyre, dialogu duhet të fillojë përpara hartimit të ligjeve, jo pasi vendimet janë marrë. Artistët nuk mund të thirren vetëm për të miratuar formalisht politika në hartimin e të cilave janë përjashtuar.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








