Sipërmarrësit që u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare tashmë po heqin dorë nga bizneset e tyre, ose po bëhen zotërues pasivë të kuotave të tyre, pasi sipas ligjit për konfliktin e interesit ata nuk mund të jenë aktivë në aktivitetet private.
Vullnet Sinaj, Ilir Ndraxhi, Agron Shehaj janë tre sipërmarrës të mëdhenj që katër vitet e ardhshme do të jenë deputetë, ndërsa emra të tjerë si Flamur Shehu (industria tekstile), Fuad Haxhiymeri (industria përpunuese), apo Agron Duka, ndonëse ishin në lista nuk arritën të sigurojnë një vend në Kuvend raporton Monitor.
Vullnet Sinaj, ideatori i një prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend, Big Market, në të gjithë rrjetin e supermarketeve të tij ka kaluar në zotërues pasiv të kuotave dhe Znj Elona Koshi (Budini) është zotëruese aktive e kuotave, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Sinaj tashmë është deputet i Partisë Socialiste.
Ilir Ndraxhi, vijon ende të zotëroje 72% të aksioneve të kompanisë së tij I.A.M, por, ai në korrik është larguar si administrator. Kompania e tij ka aktivitet në fushën e plehrave kimike, duke u renditur mes 200 më të mëdhenjve (xhiro 1.8 miliardë lekë në 2016-n), ndërsa vetë Ndraxhi ka eksperience të gjatë në bujqësi. Ndraxhi është gjithashtu deputet i PS-së.
Agron Shehaj, sipërmarrësi kryesor në aktivitetin e call center është tashmë deputet aktiv i Partisë Demokratike. Përmes kompanisë Intercom Data Service, që ka rreth 3 mijë të punësuar. Shehaj në shtator është larguar si administrator i shoqërisë, ndërsa Intercom Data Service është në pronësi të SESTANTE HOLDING S.R.L.
Sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, deputeti:
a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse;
b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër;
c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg.









