Konsumi i kosit ul rrezikun e atakut në zemër me 30% te njerëzit që vuajnë nga tensioni i gjakut.
Të dhënat e një studimi të Universitetit të Bostonit, konfirmojnë se konsumi i të paktën 2 racioneve me kos në javë ul rrezikun e atakut në zemër te femrat e prekura nga hipertensioni.
E njëjta sasi ul rrezikun e atakut në zemër apo ishemisë te meshkujt me 19 për qind. Shkencëtarët analizuan 55,898 gra të moshave nga 30 deri në 55 vjeç dhe 18,232 burra të moshave nga 40 deri në 75 vjeç. Të gjithë prej pjesëmarrësve në studim vuanin ose ishin të prekur nga tensioni i gjakut.
Më shumë kos për zemrën
Studiuesit konfirmojnë se kosi që është i pasur me kalcium dhe vitaminë D, ka një rol shumë mirëbërës për zemrën që shkon përtej qetësimit të saj. Probiotikët që gjenden te kosi ulin tensionin e gjakut. Justin Buendia, autor i studimit, i tha “Daily Mail” se kosi është i nevojshëm për shëndetin e zemrës.
Sipas tij, kosi mund të konsumohet veçmas ose duke u kombinuar me fruta të pasura me fibër, perime dhe drithëra.
Sëmundjet e zemrës, Vitamina D, zgjidhja më e lirë ndaj ilaçeve
Studiuesit konfirmuan se vitamina D është një alternativë më e lirë dhe më e mirë se ilaçet e zemrës. Ky suplement që merret edhe duke ndenjur në diell riparon dhe parandalon dëmtimin në zemër që shkaktohet nga diabeti apo tensioni i lartë i gjakut.
Vitamina D stimulon prodhimin e acidit nitrik që rregullon qarkullimin e gjakut. Për më tepër, kjo vitaminë zbut stresin e brendshëm në sistemin kardiovaskular duke shmangur kështu sëmundje apo çrregullime.
Sipas shkencëtarëve, njerëzit mund të kursejnë shumë mund dhe para duke e mbrojtur sistemin kardiovaskular me një ilaç që na e fal dielli, e prodhon organizmi dhe në rastin më të keq mund ta marrim në farmaci./AgroWeb.org