Nga Mentor Kikika
Unë nuk pres që largimi i Elisa Spiropalit të shkaktojë ndonjë reagim brenda PS-së, që mund të krijojë “trazira të brendshme”. Kush është aty, është i bindur se Rama është garancia e pushtetit dhe të gjithë do të bëjnë çdo gjë për të qëndruar nën hijen e tij.
Me gjithë entuziazmin e Elisës për “fillimin e dasmës”, unë nuk mendoj se do të ketë ndonjë nuse apo dhëndër që të kërcejë, pasi edhe orkestrës ia kanë hequr prizën.
Por ato që Elisa artikuloi sot janë të vërtetat e padiskutueshme të realitetit politik dhe shkaku i problemeve që gjenerohen në qeverisje.
-Një parti pa struktura
-Me vendimmarrje në dorën e një njeriu të vetëm.
-Një parti, kryetari i së cilës nuk i nënshtrohet zgjedhjeve çdo katër vjet dhe ku drejtuesit e tjerë thjesht emërohen.
-Një parti pa llogaridhënie.
Pra, ky model politik është i destinuar të prodhojë një lider me pushtet absolut. Dhe pushteti absolut korrupton. Pushteti i korruptuar degradon.
Elisa është bashkëpërgjegjëse për këtë situatë. Por është mirë që për këto çështje të flasë edhe një individ që vjen nga brenda sistemit.
Mungesa e demokracisë brenda partive është një nga shkaqet kryesore të degradimit të pushtetit.
Ashtu siç qeveriset partia, ashtu ajo do të qeverisë edhe vendin.









