Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku burrë e grua nga Kosova u gjetën të vrarë me armë zjarri.
Rrethanat dhe shkaqet e krimit mbeten ende të paqarta, ndërkohë që autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes, shkruajnë mediat e huaja.
Ngjarja ndodhi në Florida të SHBA-ve, mbrëmjen e 27 nëntorit, ku Pajtim Krasniqi nga Peja është gjetur i vdekur bashkë me bashkëshorten e tij.
Lidhur me këtë tragjedi, ka reaguar edhe vetë motra e Pajtimit, Albana përmes një postimi në Facebook të shkruar në gjuhën angleze.
Sipas mediave të Kosovës, motra e të ndjerit e ka akuzuar gruan e Pajtimit, për këtë vrasje makabre.
“Gruaja e Pajtimit zgjodhi t’ia merrte jetën vëllait tim, kur ajo e qëlloi me 5 plumba në krahërorin e tij. Personit të cilin i besonte kaq shumë, personin të cilin e zgjodhi të kalonte jetën edhe ia mori.
Ajo e tradhtoi atë, dashurinë dhe besimin e tij. Ajo e shkatërroi familjen time. Unë dhe vëllëzërit e motrat e mia nuk do të jemi më kurrë njësoj. Jam e tmerruar që nëna ime nuk do ta kalojë kurrë këtë …”, ka shkruar mes tjerash Albana Krasniqi.
“Festën e Falenderimeve nuk e kalova me burrin dhe fëmijët e mi. Nuk e kalova me miqtë e mi. Këtë ditë e kalova me policët, hetuesit dhe lajmet që flisnin për vrasjen e egër dhe të pakuptimitë të vëllait tim të vogël nga gruaja e tij”, shkruan ajo më tej.
Ky rast tragjik ndodhi në mesnatë, në katin e 45-të të apartamentit, ku qëndronte çifti i shqiptarëve të Kosovës.
Raportohet se janë dëgjuar së paku gjashtë të shtëna të njëpasnjëshme, të cilat lanë të vdekur burrë e grua.
Akoma nuk dihet se si ka ndodhur ngjarja dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Në vendin e ngjarjes thuhet se janë gjetur prova të shumta materiale, që janë marrë nga Policia si dëshmi që do të ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të vrasjes së dyfishtë.