Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Biellës në veri të Italisë, ku një vajzë 24-vjeçare ka denoncuar se është përdhunuar nga punëtori që kishte angazhuar për riparimet në banesën e saj.
Sipas mediave italiane, e reja kishte shkuar në apartament për të parë nga afër ecurinë e punimeve, e shoqëruar nga djali i saj 4-vjeçar.
Por situata mori një kthesë dramatike kur muratori egjiptian, që ishte punësuar nga ajo vetë, mbylli derën, e kërcënoi dhe më pas e dhunoi seksualisht.
Viktima arriti të ruajë qetësinë më pas dhe me një justifikim për të blerë ushqime për fëmijën, bindi autorin të largohej nga banesa. Kjo i dha mundësinë të kërkonte ndihmë te një roje sigurie dhe të njoftonte menjëherë policinë.
Pas denoncimit, autoritetet vepruan me shpejtësi. Prokurori i çështjes kërkoi menjëherë arrestimin e autorit të dyshuar, masë që u pranua nga gjyqtari.
I dyshuari ndodhet tashmë në paraburgim, në pritje të hetimeve të mëtejshme. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik italian, ndërsa autoritetet kanë premtuar ndëshkim të ashpër për autorin dhe mbështetje për viktimën.