Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka reaguar për herë të parë pas akuzave që i janë bërë nga gazetari Telnis Skuqi për cështjen e shkollës së mesme. Në një deklaratë të gjatë Golemi shpjegon se tre vite të gjimnazit i ka kryer në Leskovik për shkak të rrethanave familjare. Më pas është transferuar në gjimnazin ‘Janaq Kilica’ në Fier, një prej gjimnazeve më të mirë në vend, ku ka kryer vitin e katërt. Ai bën publike edhe disa dokumente. Më poshtë deklarata e plotë e Golemit.
“Mediat sociale u kanë dhënë të drejtën e fjalës budallenjve. Më përpara ata flisnin vetëm në lokale pasi kishin pirë një gotë me verë, pa e dëmtuar komunitetin. Por ua mbyllnin menjëherë gojën, ndërsa tani kanë të njëjtën të drejtë fjale edhe me një fitues të Çmimit Nobel. Ky është pushtim nga budallenjtë”. Këto janë fjalë që i ka thënë shkrimtari italian Umberto Eco teksa nderohej me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti i Torinos.
Besoj se e ilustrojnë më së miri histerinë e ngritur së fundi nga një gazetar i mbetur në tentativë, që për zanat ka shpifjen dhe përbaltjen, nga një torrollak pa din e pa iman që hedh një gur në ujë dhe kërkon t’i shkojmë nga pas. Për fat të keq ka një pjesë të portaleve që për një grusht klikime kanë rënë në grackën e tij, duke botuar pa asnjë filtër një shpifje ordinere. Nuk kam reaguar sepse kam besuar që shpifjet të cilat dalin nga frëngjitë e Facebook-ut të të ashtuquajturit gazetar, nuk do të zënin vend në faqet e mediave online. Mirënjohje për ato media që i qëndruan larg kësaj shpifje, keqardhje për ato që ranë në grackën e tij.
I ashtuquajturi gazetar kishte barrën e provës, meqë pretendon se bën gazetari investigative, t’i provonte publikut se medemek unë isha pa shkollë të mesme. Le të investigonte, të shkonte në shkollë dhe çdo institucion tjetër shtetëror, duke administruar dokumenta që të faktonin pretendimin e tij. Nuk e bëri sepse e di shumë mirë që s’ka për të gjetur gjë. As aty ku është dhe as duke ardhur në Shqipëri. Unë s’kisha për të reaguar në fakt sepse jam shumë i qetë me veten për shkollimin tim në të gjitha ciklet, pavarësisht asaj që thonë shpifësit që ndotin hapësirën publike. Le më pastaj që ky i gjori kishte vënë dhe bast të madh, që do të jepte dorëheqje nga gazetaria nëse unë provoja se kam mbaruar gjimnazin.
Edhe tani që e humbi bastin, nuk duhet të largohet nga gazetaria, por të qëndrojë aty si karikaturë, si modeli më i keq se si nuk duhet të jetë një gazetar. Për respekt të opinionit publik, qytetarëve të Gjirokastrës dhe mediave që më kanë kontaktuar për të marrë një reagim prej meje, garantoj me pergjegjësi të plotë morale dhe ligjore që kam përfunduar studimet e shkollës së mesme. Për shkak të rrethanave familjare, 3 vitet e para të gjimnazit (1990-1993) i kam kryer në Leskovik në shkollën ‘Jani Vreto’, me numër amze 1145. Vitin e fundit të gjimnazit (1993-1994) e kam ndjekur në shkollën ‘Janaq Kilica’ në Fier, i detyruar po nga rrethanat familjare. Me numër amze 6395. Në këtë gjimnaz jam diplomuar me rezultate shumë të mira. Më pas nisa Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Më poshtë krahas dokumenteve për gjimnazin keni edhe për Fakultetin e Mjekësisë, se mos ndoshta ka dyshim ndonjëri edhe për këtë.
Në CV-në e dorëzuar në vitin 2017 kur unë po kandidoja për deputet ka një lapsus në deklarimin e viteve të shkollës së mesme, duke shënuar gabimisht 1992-1996 nga 1990-1994 që është në të vërtetë. Por kurrsesi një CV e plotësuar nxitimthi për t’u administruar si dokument formal në dosjen që dorëzohet në KQZ, nuk mund të merret si provë për të tjerr më pas një shipje të rëndë. Unë kam shumë respekt për mediat dhe gazetarët, por neveris dhe përçmoj këdo që keqpërdor këtë status apo profesion për të shpifur dhe përbaltur. Po të kishte qoftë edhe gjysmën e viteve të mia të shkollimit, ky personazh qesharak s’do të guxonte të shpifte dhe trillonte këtë histori.
Mirë ky ditëziu që kërkon vëmendje, por për shkollën time të mesme ishte shqetësuar edhe partia e ish-deputetit me doktoraturë plagjaturë. Të qeshësh dhe të qash për batakun se ku kanë rënë. Sidoqoftë vazhdoni të shpifni dhe trilloni. Unë jam shumë i zënë me punë në krye të Bashkisë Gjirokastër dhe nuk kam ndërmend t’i shkoj pas kësaj histerie kolektive. Keni për të dështuar me sukses në çdo përpjekje dëshpëruese për të gjetur probleme në shkollimin tim. Unë s’jam nga ai takëm njerëzish që ju doni të vizatoni përmes shpifjeve tuaja. Nuk ia dilni dot!