Barazimi i marrë ndaj Vorës këtë fundjavë ka lënë një shije të hidhur në Rrogozhinë, sepse rrallëherë më parë Egnatia është gjendur kaq larg me pikë vendit të parë. Një pozicion që bardhejeshilët ishin mësuar ta shihnin si “pronë” të tyre gjatë dy sezoneve të fundit, tashmë duket më i largët se kurrë. Situata ka ndryshuar ndjeshëm, me rrogozhinasit që kanë kaluar në rolin e ndjekësit, ndërsa përpara shohin Vllazninë, e cila ka krijuar një diferencë prej pesë pikësh në krye.
Duke pasur parasysh formulën e këtij edicioni në kampionat, ku pas përfundimit të katër fazave pikët nuk do të zerohen, por vetëm do të përgjysmohen për katërshen e parë, çdo hap fals në këtë moment peshon dyfish. Egnatia nuk mund t’i lejojë vetes luksin që diferenca me shkodranët të thellohet edhe më shumë, pasi çdo pikë e lënë rrugës sot, nesër mund të kushtojë shumë në garën për titull.
VAZHDIMËSIA, PROBLEMI KRYESOR – Më shumë sesa dy pikët e humbura ndaj Vorës, ajo që shqetëson realisht në kampin e kampionëve është mungesa e vazhdimësisë. Egnatia ka treguar se e ka të vështirë të ndërtojë një seri rezultatesh pozitive, duke bërë që herë pas here të humbasë terren me kreun, edhe pse deri tani mbetet forca e dytë e kampionatit. Shifrat flasin qartë: në pesë ndeshjet e fundit, skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova ka marrë vetëm një fitore, atë ndaj Flamurtarit në transfertë. Më pas kanë ardhur tre barazime dhe një humbje në Rrogozhinë përballë Tiranës, një bilanc që tregon luhatje të ndjeshme dhe mungesë stabiliteti në momente vendimtare. Pikërisht këtu qëndron edhe diferenca me Vllazninë, e cila ka ditur të ruajë ritmin dhe të përfitojë nga çdo ndalesë e rivalëve. Në një kampionat kaq të ekuilibruar, ku diferencat krijohen në detaje, mungesa e konsistencës mund të kthehet në penalizim të madh.
KTHESA – Megjithatë, sezoni është ende i hapur. Po luhet faza e tretë dhe ka ende ndeshje për t’u rikuperuar, përpara se të nisë faza e katërt vendimtare. Por koha për justifikime ka mbaruar. Egnatia ka nevojë për një reagim të menjëhershëm, jo vetëm në lojë, por mbi të gjitha në rezultate. Këtë javë bardhejeshilët presin në shtëpi Dinamon, në një duel direkt që merr vlera të shumëfishta. Fitorja nuk është thjesht objektiv, por detyrim. Një tjetër hap fals do të rrezikonte jo vetëm diferencën me kreun, por edhe moralin e skuadrës në një moment delikat të sezonit. Nëse Egnatia synon të mbrojë fronin dhe të rikthehet protagoniste absolute në garën për titull, kthesa duhet të nisë tani. Përndryshe, pesë pikët e sotme mund të shndërrohen shumë shpejt në një hendek të pakapërcyeshëm.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









