Kampionët në fuqi të Egnatias zbresin sot në fushë në një nga ndeshjet më vendimtare të sezonit. Përballë do të jetë Teuta, në një duel që mund të ndikojë drejtpërdrejt jo vetëm në garën për titull, por edhe në luftën për të siguruar vendin në katërshen finale. Skuadra rrogozhinase ndodhet aktualisht në një situatë delikate në renditje.
Kampionët janë mes dy objektivave të kundërta: nga njëra anë përpjekja për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë, ndërsa nga ana tjetër rreziku për t’u përfshirë plotësisht në betejën për të siguruar një vend në “Final 4”. Diferenca në tabelë e bën këtë moment të sezonit veçanërisht të ndjeshëm.
DISTANCAT RRISIN PREISONIN – Aktualisht, Egnatia ndodhet pesë pikë larg kryesuesve të Vllaznisë, ndërsa vetëm shtatë pikë e ndajnë nga vendi i katërt. Këto diferenca e bëjnë çdo ndeshje të mbetur një “finale” të vërtetë për kampionët. Me fazën e fundit të kampionatit që afrohet, gabimet nuk lejohen më. Çdo pikë e humbur mund të ndryshojë ndjeshëm objektivat e skuadrës dhe të rrezikojë seriozisht garën për titullin. Një triumf ndaj Teutës do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për Egnatian. Tre pikët do t’i lejonin rrogozhinasit të mbajnë gjallë ëndrrën për titullin e tretë radhazi dhe njëkohësisht të krijojnë më shumë qetësi në prag të fazës vendimtare të sezonit. Kampionët kanë treguar edhe më parë se dinë të reagojnë në momente presioni, por këtë herë sfida duket edhe më e ndërlikuar për shkak të balancës së madhe në krye të renditjes. Nga ana tjetër, një barazim apo humbje do ta komplikonte ndjeshëm situatën e Egnatias. Një skenar i tillë do ta fuste skuadrën praktikisht në vallen e ekipeve që synojnë të sigurojnë një vend në katërshen finale, duke e zhvendosur fokusin nga titulli tek sigurimi i pozicionit në zonën “Final 4”. Kjo është arsyeja pse përballja me Teutën konsiderohet si një pikë kthese për sezonin e kampionëve.
MË SHUMË SE TRI PIKË – Në këtë fazë të kampionatit, diferencat janë të vogla dhe çdo rezultat mund të ketë ndikim të madh në renditje. Për Egnatian, dueli me Teutën nuk është thjesht një ndeshje e radhës, por një provë karakteri dhe një mundësi për të treguar nëse skuadra është ende në garë reale për titullin. 90 minutat e sotme mund të vendosin shumë për rrugëtimin e kampionëve në javët e fundit të sezonit. Nëse rrogozhinasit arrijnë të marrin tre pikët, ëndrra për titullin mbetet e hapur. Në të kundërt, sezoni mund të marrë një drejtim krejt tjetër.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







