Prej dy ditësh emigrantët e karantinuar në hotele në Gjirokastër e Kakavijë po mundohen që përmes komunikimit me mediat të ngrenë një ‘stuhi’ për keqtrajtim, mungesë ushqimi, çmime të larta të produkteve etj me radhë. Kanë vetëm një qëllim, të shtojnë presionin dhe t’i shpëtojnë karantinës për të shkuar në shtëpi, nisur nga fakti se në testin e parë të Covid-19 kanë dalë negativë. Akomodimi në hotele me shpenzimet e tyre ka qenë një gjë e deklaruar më herët nga qeveria shqiptare.
Madje vetë emigrantët kanë nënshkruar një dokument në momentin e hyrjes në kufi dhe kanë qenë dakord me këtë praktikë. Nuk ka këtu asnjë surprizë për ta në këtë drejtim, edhe pse deri më tani për hir të së vërtetës pjesa më e madhe e tyre nuk i kanë paguar ende dhomat e hotelit. Bashkëkombasit tanë që vijnë nga vendet e ‘zonës së kuqe’, duhet të kuptojnë se nuk janë në Gjirokastër, Kakavijë, Tepelenë, Dropull apo Përmet për turizëm. Jemi në gjendje lufte! Vetë hotelet ku ata janë strehuar s’kanë staf që t’u gatuajë dhe shërbejë tre vaktet siç do të donin emigrantët. Me ato pak operatorë të biznesit ushqimorë që janë hapur, emigrantët porosisin vetë ushqimet sipas dëshirës dhe mundësisë që kanë.
Tani pse kushtojnë sufllaqet 200 lekë dhe pse jo 100 lekë, ky është muhabet qesharak. Këtu me rëndësi është fakti se kufijtë u hapën dhe ata hynë brenda, kanë një strehë ku të fusin kokën pas negocimit të fortë me pronarët e hoteleve se përndryshe mund të vazhdonin të dergjeshin pas hekurave në Kakavijë apo gjetkë. Kurrsesi nuk është kjo një gjuhë raciste apo denigrim i bashkombasve tanë, që janë njerëz si ne, por është e papranueshme ‘kuja’ që vënë në media se ngelën pa kafe, pa cigare apo pa sufllaqe. Afërmendsh kjo situatë do të kishte vështirësi të tilla sepse jemi në luftë. Emigrantët s’janë aty për turizëm, por të presin me durim të kryejnë 14 ditët e karantinës dhe më pas të largohen në banesat e tyre.
Mund të ketë mes atyre që vërtet s’kanë para të shumta, por shumica e tyre kanë mjaftueshëm të ardhura për të përballuar ditët në karantinë për aq kohë sa kanë pasur mundësi të paguajnë edhe biletat e avionit, autobusave etj. Thjesht me të mbërritur në Kakavijë, nisën ‘sportin’ e njohur: S’kemi asnjë lekë, t’i paguajë qeveria! Situata e kërkon që mbështetja më e madhe në këtë moment të shkojë tek njerëzit në nevojë e të sëmurë që janë izoluar brenda.
Emigrantët në hotele janë aty të përkohshëm dhe fundja nuk bëhet nami se ngelen një ditë pa pirë kafe apo duhan. Mbase janë frymëzuar nga deklarata e prefektit të Gjirokastrës, i cili nga euforia e të qenit live në Top Channel tha se ushqimi do t’u shkojë i ngrohtë në mëngjes, drekë dhe darkë. Por s’ka asgjë të vërtetë në këtë deklaratë, ishte thjesht gafë e tij. Bashkombasit tanë do të qëndrojnë për dy javë në hotele me shpenzimet e tyre dhe t’i gëzohen faktit që s’janë të infektuar me Covid-19. Nëse s’kanë para mjaftueshëm, të durojnë ca ditë pa kafe, cigare apo sufllaqe. Me buxhetin që kanë të hanë sipas mundësisë, jo sipas nevojës sepse nuk janë për turizëm. Ne si taksapagues s’u kemi asnjë borxh t’u pagujmë ditët e karantinës si të ishin pushimet e tyre verore. Kaq!
©argjiroja.net