Mbyllet këtë të mërkurë afati për dorëzimin e aplikimeve për postin e drejtorit të Policisë së Shtetit. Në total janë 14 kandidatë që kanë shprehur dëshirën për të marrë postin e lartë në Policinë e Shtetit me mandat 5-vjeçar.
Mes kandidatëve që kanë aplikuar është Pëllumb Seferi, aktualisht drejtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Një tjetër kandidat është drejtori i Policisë së Fierit, Skënder Hitaj, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste drejtuese edhe në qarqet Shkodër dhe Dibër. Po ashtu ka paraqitur kandidaturën edhe drejtori aktual i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, i cili më herët ka drejtuar Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë dhe ka mbajtur disa pozicione drejtuese në polici, por edhe Idajet Faskaj, i cili gjithashtu ka shërbyer në disa dikastere të Policisë së Shtetit. Dokumentacionin e ka plotësuar edhe drejtori aktual i Policisë së Durrësit, Afrim Tafa.
Për të drejtuar Policinë e Shtetit ka shprehur interes edhe ish-drejtori i disa drejtorive vendore, Lorenc Panganika, aktualisht pranë Akademisë së Sigurisë. Në garë është përfshirë edhe Tonin Vocaj, ish nr.1 i Policisë së Tiranës. Pjesë është bërë edhe Gentian Shehaj. Gjithashtu kanë aplikuar edhe drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe Arjanit Arapi.
Të enjten, Ministria e Brendshme do të publikojë në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Brenda 10 ditëve, një Komision i Posaçëm i përbërë nga 3 persona, me kryetar një zëvendësministër të Brendshëm dhe 2 anëtarë, sekretarin e përgjithshëm të këtij dikasteri dhe kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kryen vlerësim paraprak për verifikimin e kushteve ligjore.
Ilir Proda qëndroi në këtë detyrë 17 muaj. Ai u largua pas protestës së 28 shkurtit, me argumentin se nuk arriti të garantonte rendin dhe sigurinë, pasi protestuesit e opozitës hodhën molotov në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, brenda së cilës gjendeshin disa artistë të huaj. Deri në zgjedhjen e drejtorit të ri, në detyrë është komanduar zëvendësdrejtori Sokol Bizhga.
Kandidatët për postin e drejtorit të ri të Policisë:
Pëllumb Seferi
Elidon Çela
Alfred Çepe
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Lorenc Panganika
Afrim Tafa
Neritan Nallbati
Idejet Faskaj
Gentian Berberi
Tonin Vocaj
Skënder Hitaj
Arjanit Arapi
Gentjan Shehaj









